Editorial - Opinione

‘Idhujt e Luftës’ ranë në Kosovë; të Tranzicionit në Shqipëri, jo  


               Publikuar në : 21:47 - 09/10/19 M. S

Nga: Alfred Lela

Komentariati politik i Tiranës e ka shtjelluar me një ndjenjë pesimizmi dhe gëzimi bashkë atë që ka ndodhur në Kosovë me zgjedhjet e fundit. Gëzimi është i lidhur me atë se shqiptarët ‘dinë të bëjnë shtet’ (edhe pse ata janë të Kosovës; dihet tashmë përkufizimi banal me termat ‘shqiptar i Kosovës’ dhe Kosovar-i pari është i suksesshëm, i dyti malok dhe bandit), ndërsa pesimizmi me atë se Shqipëria, shtet më i vjetër, nuk di të bëjë zgjedhje.

Ka ndodhur megjithatë diçka që shkon përtej zgjedhjeve dhe ndoshta është më e rëndësishme se ato. Apo më saktë zgjedhjet janë simptomë e saj. Me vendimin e shumicës së kosovarëve për të votuar Vjosa Osmanin e LDK-së dhe Albin Kurtin e Vetëvendosjes është firmosur, me gjasë njëherë e përherë, rënia e ‘idhujve të luftës’ së UÇK. Thaçi, Haradinaj, Veseli, Limaj e të tjerë, kanë qenë të humburit e mëdhenj të zgjedhjeve; jo në kuptimin e drejpërdrejtë, siç ata mund ta marrin në intimitet, por në atë se koha e tyre, politikja ashtu si biologjikja është e fundme. Edhe pse z. Thaçi ka bërë çnuk për ta zgjatur me silikon putiniano-erdoganian këtë jetë, duke ndërruar vendet nga kryeministër në president, si me gjithkënd ajo po tregohet e shterrshme.

Haradinaj, që priti të shpërblehet për ‘burrërinë’ patriotike që dëshmoi duke i ngritur traun ekonomik Serbisë dhe duke kundërshtuar idetë për ndarje apo ripërkufizim të kufijve të Kosovës, që mbështeteshin nga lobe jo lehtë të përballueshme, në Washington e gjetkë, e gjeti veten në opozitë javën e dytë të tetorit.

Djemtë e UÇK-së, që u bënë burrat e politikës së Prishtinës dhe e udhëheqin Republikën për të cilën bënë shumë për ta çliruar, nuk kanë të drejtë të ndihen të shpërfillur nga populli i tyre. Kosovarët i votuan shumë herë, edhe pse jo pak herë ata, me veprime apo mosveprime, ranë poshtë lartësive ku i ngjiti lufta për liri. Sido që të jetë, në kujtesën e kombit ata mbeten luftëtarë, themelues dhe bij të historisë.

Pamja që vjen nga Shqipëria nuk është aspak e ngjashme. Nëse në Kosovë ‘populli- për të cilin thuhet se nuk gabon kurrë’, i rrëzoi idhujt e luftës, demonët e tranzicionit në politikën e Tiranës ende janë sundues. Vetëm Fatos Nano është tërhequr nga skenë ndër liderët e fillimviteve ’90. Të tjerët janë ende në koçitë e luftës politike, me të njëjtin tërbim, të cilit mund t’i shtosh vetëm sofistikimin teknologjik dhe teshat më të mira. Berisha, Meta dhe Rama përbëjnë tashmë një treshe luftënxitëse në qendër dhe në margjinat e politikës shqiptare. Dy të parët, edhe pse i përkasin tërheqjeve relative, njëri në Presidencë e tjetri në Facebook, vazhdojnë të jenë dominues dhe përcaktues në retorikën dhe aksionin politik të ditës. I treti është, me gjasë, lideri i fundit i tranzicionit. Thënë kjo, ai nuk mund të zëvendësohet asesi prej dy të parëve. As edhe në frymë.

Ky është dallimi i thellë mes Kosovës dhe Shqipërisë. ‘Bijtë e luftës’ dhe ‘bijtë e tranzicionit’ e shohin politikën dhe të ardhmen nga pika krejt të ndryshme. Duhet thënë se të dy palët nuk do të iknin kurrë me vullnet të lirë nga pushteti, po të mos ishte për popullin. Siç u shpreh Ambasadori kosovar në Tiranë, Kosova është para Shqipërisë në muzikë, futboll dhe në zgjedhje.

Zgjedhje është fjala kyç. Të dish të zgjedhësh: kur ata që hynë me luftë të dalin me paqe.

 

Kthehu
WhatsApp Denonco ne TT