I mori jetën kunatës, policia merr vendimin urgjent për familjen e autorit

Policia ka marrë në mbrojtje familjen e Agron Tanushit, i cili ekzekutoi në sy të fëmijës kunatën e tij Jetmira Hasani. Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e djeshme, në banesën e Jetmira Hasanit në rrugën “Apollonia” në Bathore. Uniformat blu janë hedhur në veprim, pasi ekziston frika se familjarët e viktimës mund të tentojnë hakmarrjen. Autori i ngjarjes së rëndë vijon të jetë në kërkim.

Vëllai i këtij të fundit, i divorcuar prej katër vitesh me viktimën, është emigrant në Greqi. Ka hije dyshimi se konflikti ka nisur për shkak të pronësisë së banesës.

Kunata e autorit jetonte në një banesë me autorin, pavarësisht se ishte divorcuar me vëllanë e tij. E ndjera ishte pajisur me urdhër mbrojtje, pasi kishte pasur edhe më parë konflikt me Agron Tanushin.

Mësohet se ngjarja e rëndë ndodhi teksa Jetmira Hasani, po nxirrte rrobat e saj dhe sendet personale nga banesa, për t’u larguar me fëmijën e saj 8-vjeçar. Në këto momente ka pasur një debat mes saj dhe ish-kunatit, Agron Tanushi.

Ajo pretendonte se banesa ku jetonte pas ndarjes nga bashkëshorti është e saja, duke bërë që të kishte konflikte të vazhdueshme me ish-kunatin, Agron Tanushi, i cili i mori jetën.

Aktualisht në këtë banesë jeton vetëm nëna e autorit, dhe familjarët i druhen një hakmarrje të mundshme.