Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se duhen prova për të akuzuar ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri si të lidhur me drogën. Një intervistë për median gjermane, “Die Welt” kryeministri nënvizon se dyshimet ndaj një personi të vetëm mund të pengojnë përpjekjet e një shteti të tërë për të luftuar këtë fenomen.
“ Është në dorë të drejtësisë të zbulojë të vërtetën përmes hetimeve. Unë nuk mendoj se ky rast do të zgjidhej ndryshe në vende të tjera, nëse një emër shfaqet në një protokoll monitorimi. Ai u përjashtua nga grupi parlamentar dhe iu dorëzua drejtësisë. Çfarë mund të bëhet tjetër? Po, është një ngjarje shqetësuese, por duhen prova. Reagimi ynë ishte i qartë si kristali dhe tani hetimi vazhdon” deklaron Rama.
Rama mohoi që Shqipëria të jetë qendër e trafikut të drogës, duke përmendur edhe rastin e fundit të kokainës së kapur në Durrës.
“Dy javë më parë, sekuestruam 600 kilogramë kokainë në bashkëpunim me autoritetet italiane. Cili ishte reagimi? Nëse sekuestrohen 600 kilogramë, atëherë duhet të ketë shumë më shumë se aq. Nëse diçka sekuestrohet këtu, nuk do të thotë që ne jemi qendra. Për çdo trafikant droge shqiptar të arrestuar, ne gjejmë qindra numra me kode ndërkombëtare në telefonat e tyre. Është krim i organizuar europian,” thekson Rama.
I pyetur për ndikimin rus, turk apo kinez, kryeministri tha se Shqipëria nuk i frikësohet asnjë ndërhyrje, duke vënë në dukje faktin se Shqipëria sipas të gjitha sondazheve është populli më pro-evropian dhe më pro-amerikan në rajon.