AA-Instant

I ftohti ka pushtuar vendin, metereologu: Ja si do të mbyllet janari, shmangni…

               Publikuar në : 18:44 - 10/01/19 S.N

Prej disa ditësh Shqipëria është prekur nga kushtet e rënda atmosferike. Moti i ftohtë i shoqëruar me reshje dëbore ka shkaktuar probleme në shumta në disa qarqe të vendi nga veriu në jug. Si pasojë shumë shkolla në shkallë vendi kanë pezulluar mësimin, ndërkohë në disa segmente janë bllokuar rrugët nga reshjet e borës. Si edhe ka patur mungesa të furnizimit me energji elektrike.

Metereologu Metodi Marku në një intervistë për Tirana Today tregon zonat problematike, të cilat vazhdojnë të jenë të mbuluara nga dëbora.

“Reshjet më të larta janë regjistruar në Lindje të vendit. Konkretisht zonat urbane, si Korça apo Peshkopia kanë 35 cm borë në tokë. Kukësi 23 cm, ndërkohë që në pjesë të tjera të territorit këto sasi janë më të pakta. Por, gjithsesi në ultësirën Perëndimore duhet të përmendin qytetin e Shkodrës. Në të cilin ka ende 5 cm borë, nga ajo e djeshmja. Kjo sepse atje reshjet kanë qenë kryesisht në formë dëbore. Ndërkohë, prezencë të dëborës kemi dhe në Ishullin e Sazanit, ku ka 6 cm.

Këto masa mund të krijojnë shqetësime, veçanërisht nëpër akse rrugore të ndryshme, sidomos ato në Lindje të vendit. Por, edhe në pjesën Perëndimore duhet bërë kujdes. Pasi gjatë natës temperaturat kaluan në vlera negative. Dhe në segmente rrugore, edhe pse në pak prej tyre, përsëri ka prezencë të akullit. Veçanërisht në pjesët që nuk kapen nga dielli.”

Por, edhe pse shirat kanë qenë të vrullshme, metereologu Marku përjashton rrezikun e përmbytjeve në shkallë vendi.

“Ende nga ekipi ynë i hidrologëve nuk ka ndonjë shqetësim lidhur me përmbytjet. Duhet thënë se reshjet kanë qenë intensive të vrullshme. Por, kanë qenë për periudha të shkurtra dhe për zona të pakta.”

Për metereologun Marku në ditët në vijim pritet një normalizim i situatës. Edhe pse duket se muaji janar do të mbyllet me reshje shiu dhe temperatura të ulëta. Ndaj edhe qytetarët duhet të bëjnë shumë kujdes, veçanërisht kur udhëtojnë me automjete apo bizneset të shmangin sa më shumë aktivitetet jashtë.

“Një normalizim të mirëfilltë do ta quanim ditën e diel. Për arsye se dita e premte dhe e shtunë sërish do të kenë reshje. Por, me intensitet më të pakët. Ditën e shtunë, reshjet do të jenë më të përqendruara në terrene kodrinore dhe malore.

Në ditët në vijim presim që të ketë një rënie në temperaturat e mëngjesit, me 1 ose 2 gradë. Ndërkohë të hënën, pritet të ketë një trend në rritje të temperaturave.

Muaji janar ndryshe nga çfarë pritej, mendohet të mbyllet si një muaj me temperatura ndjeshëm nën mesatare dhe reshjet do të jenë mbi mesataren.

Është e rekomandueshme që në këto situata, të kufizojmë lëvizjet. E rëndësishme është të shmangen lëvizjet me automjete. Dhe të gjitha aktivitetet në ambiente të hapura dhe nëse është e mundur edhe të ndërpriten.” TIRANA TODAY

Kthehu