Kryetari i Bashkisë së Gramshit, Klodian Taçe, ka reaguar pas deklaratave të PD-së. Kjo e fundit e ka akuzuar kryebashkiakun se i ka dhënë tender kompanisë nën sekuestro që preu pyjet.
Përmes një postimi në Facebook, Taçe tha se gjatë procesit të tenderimit, firma në fjalë ka qenë e vetmja që ka aplikuar dhe ka sjellë dokumentacionin e nevojshëm.
Ai shton se ka urdhëruar pezullimin e procedurave të mëtejshme të lidhjes së kontratës, deri në sqarimin e plotë të rrethanave. Sipas tij, akuzat politike ndaj tij ja shtojnë më shumë vullnetin për të punuar.
Postimi i plotë:
SQARIM PËR PUBLIKUN, MEDIAT DHE PARTINË DEMOKRATIKE
Në përgjigje të interesit të publik, por edhe për të qartësuar median, nisur nga lajmi i shpërndarë nga Partia Demokratike për akuzat ndaj tenderit “Blerje dru zjarri për nevojat e shkollave për vitin 2019” nga Bashkia Gramsh.
Ju bëjë me dije se dokumentacioni i paraqitur pranë bashkisë dhe komisionit të prokurimit është i rregullt dhe afati kohorë i dokumenteve është brenda afatit të procedurës së tenderimit. Gjatë afatit të çeljes së procedurave të tenderimit, firma në fjalë ka qënë i vetmi operator ekonomik qe ka aplikuar dhe ka sjellë dokumentacionin e nevojshëm. Vlefshmëria e dokumentacionit ka qënë brenda afateve kohore që parashikon ligji. Sulmet politike me emra të përveçëm dhe dokumentet me numër protokolli fallco, që ka publikuar Partia Demokratike, janë vetëm një loj politike me të cilën opozita e rrugës shtynë ditën.
Çdo procedurë tenderimi kalon nga anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave dhe Njësisë së Prokurimit në Bashki dhe komisioni ka zbatuar procedurat bazuar në dokumentet që janë dorëzuar.
Megjithatë duke falenderuar Partinë Demokratike dhe cilindo dashamirës për shqetësimin e ngritur, deri në sqarimin e plotë të rrethanave, kam urdhëruar pezullimi i procedurave të mëtejshme të lidhjes së kontratës. Akuzat politike ndaj meje janë sulme që më shtojnë më shumë vullnetin për të punuar.