Amerikanët dolën dje hapur në mbështetje të kreut të PD-së, Lulzim Basha, ndërsa i kanë dhënë një goditje të fortë ish-kryeministrit Sali Berisha. Ky i fundit është shpallur “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit, dhe ndërkohë është përjashtuar nga grupi parlamentar demokrat. Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dërguar dje Berishës mesazhe të forta.
Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike, Gabriel Escobar, takimin e parë e zhvilloi me kryedemokratin Basha, teksa më pas foli edhe shkurtimisht për mediat. Diplomati Escobar tha se mbështet Bashën, ndërsa ripërsëriti qëndrimin se Uashingtoni mbështet fuqishëm luftën kundër korrupsionit. Zyrtari i lartë i DASH iu bëri thirrje institucioneve të drejtësisë, që të ndëshkojnë politikanët e korruptuar, sidomos emrat e futur në listën e zezë nga DASH. Pra duket se amerikanët duan ndëshkimin e Berishës.
“Jam shumë i lumtur që ndodhem në Tiranë, është vizita ime e parë në Shqipëri dhe më kanë rezervuar një mikpritje shumë të ngrohtë. Isha gjithashtu i lumtur që kisha mundësi të takohesha me opozitën, dhe ata kanë shprehur angazhimin e tyre ndaj NATO-s, integrimit europian dhe luftës ndaj korrupsionit. Jemi gjithashtu të kënaqur që jemi pjesë e kësaj, përfshirë dhe përpjekjet tona të forta kundër korrupsionit, përfshirë sanksionet. Por për ta kthyer këtë në realitet, do të nënkuptoj dhe kërkoj një përkushtim të fortë nga institucionet shqiptare”, deklaroi ai.
Gabriel Escobar i jep sinjale të qarta Bashës!
Escobar u shpreh se e pret kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha sa më shpejt për një vizitë zyrtare në Uashington, duke i dhënë mbështetje ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha të shpallur “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Diplomati amerikan dha shenjat se është pozicionuar në krah të kryedemokratit, ndërkohë që i ka bërë thirrje prokurorisë që të çojë para drejtësisë të korruptuarit. “Pres me kënaqësi të zhvilloj takime të tjera pasdite, dhe gjithashtu pres me kënaqësi vijimin e marrëdhënieve me PD. Gjithashtu pres me kënaqësi që të takoj z. Basha në Uashington së shpejti”, nënvizoi ai.
Berisha: Nuk tërhiqem në asnjë rrethanë dhe në asnjë rast!
Nga ana tjetër, ish-Kryeministri Sali Berisha shprehet i vendosur për të mos u tërhequr nga Kuvendi i 11 Dhjetorit dhe nisma për të ndryshuar statutin e Partisë Demokratike. Në një intervistë për emisionin “Opinion”, Berisha tha se Basha duhet të ishte larguar, pasi humbi 4 herë zgjedhjet.
“Nuk tërhiqem në asnjë rrethanë dhe në asnjë rast. Berisha nuk tërhiqet. Dallimi im me Bashën është i madh. Ai humbi katër herë e nuk jep dorëheqjen, unë humba dhashë dorëheqjen. Nëse një njeri pranon se ka qenë kukull 8 vite, ai të paktën duhet të largohet 85 herë”.