Nga ky muaj, pagat e punonjësve të Policisë së Shtetit do të jenë më të larta. Për inspektorët e thjeshtë, rritet paga me 7500 lekë. Shtesa më e lartë është për nivelin bazë me 15%, ndërsa për nivelin e mesëm rritet me 7%. Nga vendimi i qeverisë rezulton se paga për gradën inspektor varion nga 57.500 deri në 62.680 lekë; për gradën nënkomisar 70 mijë lekë, për komisarin 77 mijë lekë, kryekomisari 87 mijë lekë ndërsa drejtuesi 99 mijë lekë. Paga më e lartë është për drejtuesin madhor që shkon në 125 mijë lekë. Në listën e publikuar tregohet rroga bazë pa llogaritur vjetërsinë dhe pagesat që bëhen për punën larg banesës.
Në vendimin e qeverisë bëhet me dije se rritja e pagave të punonjësve të policisë vjen në kuadër të paketës së rezistencës sociale ndaj pasojave të krizës. Më konkretisht rritja e pagave është bërë në bazë të kategorive, duke filluar nga 75 mijë lekë të vjetra, tek 125 mijë lekë të vjetra që shkon për drejtorët e burgjeve apo Policisë së Shtetit.
Pak ditë më parë, kryeministri Edi Rama bëri me dije se qeveria ka marrë vendimin që të rrisë pagat e punonjësve të policisë, policëve të burgjeve, zjarrfikësve, Gardës së Republikës dhe punonjësve të administratës publike. Kryeministri Edi Rama në një konferencë për mediat pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave tha se rritja e pagave bëhet për të mbështetur të gjithë ata që janë në krye të detyrës. Rritja do të reflektohet në pagën e ardhshme që do të marrin të gjithë këto kategori.