Sikundër ishte njoftuar më herët, sot ka hyrë në fuqi vendimi i Komitetit të Ekspertëve që bën të detyrueshme paraqitjen e certifikatës së vaksinimit, për të hyrë në vendin e punës. Ky rregull është i vlefshëm për gjithë administratën publike dhe punonjësit e bizneseve private që janë në shërbim të qytetarëve, përfshi dyqanet, supermarketet dhe stafet e qendrave tregtare.
Në mungesë të certifikatës së vaksinimit, punonjësit do të duhet të paraqesin një test PCR negativ çdo 5 ditë. Gjithashtu ata mund të paraqesin edhe certifikatën e shërimit të lëshuar nga e-Albania, që vërteton se një person ka kaluar koronavirusin brenda gjashtë muajve të fundit.
Urdhri
Punonjësit e administratës publike, të supermarketeve dhe qendrave tregtare, do të paraqesin dokumentin e vaksinimit ose çertifikatat e shërimit me vlefshmëri deri në 6 muaj pas ditës së shërbimit. Duke filluar nga data 4 janar 2022, qytetarët që hyjnë në Republikën e Shqipërisë, nga të gjitha pikat kufitare apo ata që kalojnë tranzit, duhet të vijojnë të dorëzojnë një nga dokumentet e mëposhtme:
–Pasaportë vaksinimi, ku data e vaksinës së fundit të ketë të paktën dy javë e aplikuar nga data e hyrjes në kufi.
–Test PCR, të kryer brenda 72 orëve ose testin e shpejtë antigenic brenda 48 orëve të hyrjes në kufi.
–Provë të kalimit të infeksionit Sars-Cov-2 të vlefshme deri në 6 muaj pas shërimit.
–Qytetarët rezidentë të Republikës së Shqipërisë dhe që nuk kanë asnjë nga dokumentet e përmendura në pikën 1, duhet të vetë izolohen për një periudhë 10 ditore dhe të informojnë autoritetet shëndetësore për të kryer një test në fund të periudhës së izolimit.
Vijon të mbetet në fuqi urdhri për përdorimin e maskave në ambiente të mbyllura, në qendra tregtare, supermarkete, dyqane etj, e në të gjithë ato vende ku nuk sigurohet distancimi fizik.
Vijon të mbetet në fuqi urdhri për lejimin e grumbullimeve deri në 50 persona dhe të aktiviteteve kulturore, sportive etj deri në 30% të kapaciteteve të tyre me prezencë të spektatoreve.