Humbja e Teutës ndaj Egnatias ishte një prej atyre ndeshjeve që lënë më shumë pyetje sesa përgjigje. Durrsakët zhvilluan një lojë të mirë, në shumë momente dominuan kampionët në fuqi, krijuan raste të pastra shënimi dhe arritën të ushtrojnë presion konstant, por në fund u ndëshkuan nga efikasiteti dhe cinizmi i rivalit.
Dominim në lojë, mungesë në finalizim. Nga minuta e parë, Teuta u shfaq me qëllime të qarta: lojë agresive, presion i lartë dhe qarkullim i shpejtë i topit për të thyer mbrojtjen e Egnatias. Sidomos në pjesën e parë, durrsakët arritën të krijojnë disa mundësi të mira për gol, por mungoi qetësia dhe saktësia në prekjen e fundit. Në një moment, topi përfundoi në rrjetë, por goli u anulua nga arbitri, duke sjellë polemika dhe nervozizëm në stadium.
Kjo ndeshje vërtetoi edhe një herë se futbolli shpesh nuk shpërblen lojën e bukur, por efikasitetin. Aspekti psikologjik, një faktor vendimtar- Pjesa e dytë tregoi edhe një herë se Teuta ka nevojë të përmirësojë menaxhimin e momenteve të forta të ndeshjes. Pas rasteve të humbura dhe golit të anuluar, skuadra sikur humbi qetësinë dhe në disa raste u pa e nxituar. Edhe presioni i rezultatit negativ ndikoi në vendimmarrje, duke bërë që shumë aksione të priten pa mbërritur në finalizim. Pozicioni në renditje dhe presioni i pikëve. Kjo humbje vjen në një moment kur çdo pikë ka rëndësi të madhe për Teutën në garën për objektivat sezonalë. Diferencat në tabelë janë të vogla dhe dy-tre ndeshje të mira mund të ndryshojnë shumë situatën, por njëkohësisht çdo hap fals mund të rëndojë presionin.
MERKATOJA, “OKSIGJENI” I DURRSAKËVE- Pushimi dimëror shihet si një mundësi reale për t’i dhënë skuadrës freski. Drejtuesit e klubit po punojnë prej ditësh për të identifikuar afrime cilësore, sidomos në repartin ofensiv dhe sulm, aty ku është ndier më shumë mungesa e konkurrencës dhe alternativave. Pritet që Teuta të sjellë lojtarë me eksperiencë, të aftë të bëjnë diferencën në ndeshjet e mëdha dhe të mbajnë qetësi në momentet vendimtare.















