Nuk duket të kenë fund problemet për klubin e Partizanit.
Pas performancës së dobët në ndeshjet e fundit dhe rënies në renditje, klubi vijon të përballet me sfida të tjera të shumta. Një nga ato do jetë edhe mungesa e paparashikuar e sulmuesit Theofilus Solomon në ndeshjen me Vllazninë.
Sulmuesi nigerian nuk do të mund të jetë i pranishëm në këtë përballje, pasi mori lajmin e hidhur për ndërrimin nga jeta të nënës së tij. Ndërkohë për ndeshjen e nesërme me Vllazninë, janë konfirmuar 4 mungesa nga Partizani.
Uilliam Melo dhe Deian Boldor do të mungojnë pas kartonëve të kuq që morën në Durrës për sherrin në fushë. E konfirmuar është edhe mungesa e Theofilus Solomon, i cili ndodhet pranë familjes, pas fatkeqësisë me nënën e tij.
Mungesa e katërt është Esat Mala, i cili që para ndeshjes me Laçin po vuan pezullimin e dhënë nga drejtuesit e klubit, penalizim i cili ka lidhje me mosrinovimin e kontratës.
Partizani ka zbritur në vendin e pestë në renditje dhe baraslarguar me 5 pikë nga Kukësi i vendit të parë.