Zv/ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit Hoyt Brian Yee, pas takimeve që dje dhe sot realizoi në Maqedoni me udhëheqësit politikë të vendit, shprehu shqetësimin e Uashingtonit për zhvillimet në vend, sidomos për dhunën ndaj deputetëve dhe gazetarëve.
Yee kërkoi nga të gjithë faktorët që të mundësojnë formimin sa më të shpejtë të Qeverisë së re nga ana e shumicës parlamentare.
“Politikat e SHBA-ve kundrejt Maqedonisë mbeten në drejtim të integrimit në BE, stabilitetit dhe demokracisë. Do të punojmë me partitë politike, qytetarët, sektorin civil në këtë drejtim.
Ne jemi të shqetësuar, pasi besojmë se është një fatkeqësi që së fundmi progresi i Maqedonisë dhe prosperiteti nuk ka qenë mjaftueshëm i shpejtë dhe pozitiv, kuptohet për shkak të krizë politike, e cila po vazhdon më shumë se dy vjet e gjysmë.
Krerët politikë nuk arritën të formojmë Qeveri pas zgjedhjeve që u pranuan nga të gjitha partitë politike.
Më alarmuese nga të gjitha ndodhitë është incidenti në Parlament, javën e kaluar, kur pjesëtarë të parlamentit në mënyrë të dhunshme dhe frikacake u sulmuan.
Inkurajojmë institucionet që të hetojnë dhe ndëshkojnë ata që i bënë këto vepra.
Është me rëndësi që të gjendet një mënyrë që shumica parlamentare të propozojë qeveri dhe program qeveritar dhe të bëhet një transferim i qetë i pushtetit.
Debati për çdo çështje duhet të bëhet në Kuvend. Vendi duhet të rimëkëmbet për të mirën e të gjithëve. Është koha që kriza të mbarojë”, tha mes tjerash Yee.