E martë, 19 Janar, 2021
-4 C
Tirana

Homazhet për Diego Maradonën, tregojnë se sa lehtë injorohet dhuna ndaj grave

Nga Joan Smith “The Guardian”

Imagjinoni një burrë që godet partneren e tij. Imazhi që të vjen në mendje, ka të bëjë me një person të egërsuar, me dorën e tij që ngrihet, dhe fytyrën e skuqur nga zemërimi. Të gjithë mund ta dënojmë këtë sjellje, apo jo?

Por nëse fytyra e zemëruar është e njohur, dhe e parë mijëra herë në një kontekst shumë të ndryshëm? Po nëse ajo i përket futbollistit më të famshëm dhe të admiruar të botës, Diego Maradonës? Gjykuar nga hidhërimi i madh dhe homazhet e shumta që pasuan vdekjen e tij në moshën 60-vjeçare, duket si gjë një shumë e madhe të pranohet se heronjtë tanë, sidomos ata në botën e sportit, janë akuzuar në mënyrë të besueshme për dhunë në familje.

Fytyra e Maradonës, thjesht nuk përshtatet në atë “foto” të pakëndshme, përveçse e shihni vetë videon. E transmetuar për herë të parë në një kanal televiziv argjentinas 6 vjet më parë, ajo tregon Maradonën që godet në fytyrë të dashurën e tij të atëhershme, një ish-futbolliste profesioniste e quajtur Rosio Oliva, dhe që ishte gati 30 vite më e re.

Maradona i bërtet, dhe më pas duket që e qëllon dy herë në fytyrë. Shuplakat dëgjohen qartë në kolonën zanore, teksa Oliva i bërtet në spanjisht:”Ndalo, mjaft!”. Maradona nuk e sfidoi vërtetësinë e videos, por e mohoi të kishte goditur Olivan.

“Unë ia mora telefonin nga dora, por betohem në Zot, se nuk kam goditur kurrë një grua në jetën time”– këmbënguli ai. Ajo nuk ishte hera e parë kur Oliva e akuzoi Maradonën për abuzim fizik me të, edhe pse nuk pati kurrë një padi në gjykatë.

Një incident tjetër ndodhi në bordin e një avioni, para dhjetëra dëshmitarëve, kur Maradona e shau me fjalët më të ndyra Olivan, para se ta përqafonte. Çifti u nda dhe u rikthye bashkë disa herë, para se 2 vjet më parë Oliva të largohej përgjithmonë nga Maradona.

Vdekja e Maradonës të mërkurën, përkoi me ditën ndërkombëtare të eliminimit të dhunës ndaj grave. Në të njëjtën ditë, statistikat zyrtare zbuluan se një e pesta e shkeljeve të regjistruara nga policia në Angli dhe Uells, gjatë dhe menjëherë pas bllokimit të parë kombëtar për shkak të Covid-19 – ose 250 mijë denoncime në 3 muaj – përfshinin dhunën në familje.

Këto statistika mund t’i kishin nxitur fansat e Maradonës që të reflektonin sadopak. Por ata nuk e bënë këtë. Zakonisht abuzimi në familje, neglizhohet ose bëhet i padukshëm, veçanërisht nëse autori i dyshuar i krimit është një sportist elitar apo një aktor i famshëm.

Kur atleti olimpik Oskar Pistorius, qëlloi për vdekje të dashurën e tij, Riva Stenkamp, në fillim gazetarët e besuan historinë e tij sipas së cilës, ai e ngatërroi atë me një grabitës. Vetëm shumë kohë më vonë, dhe pas procedurave të zgjatura ligjore, Pistorius u shpall fajtor për vrasje.

Marrëdhëniet në të cilat gratë abuzohen, përshkruhen shpesh si një faj i lehtë. Por shpërthimet e xhelozisë së Maradonës – si ai kur e dëboi Olivan nga shtëpia e tij në Dubai, pasi e akuzoi atë gabimisht se kishte flirtuar me portierin e Mançester Junajtid, Devid de Gea, do të jetë tmerrësisht i njohur për çdo grua, që e ka provuar mbi shpinë një situatë të ngjashme.

Muajin e kaluar pati homazhe të shumta në nder të aktorit skocez Shon Koneri – fitues i titullit “Sër” ndër shumë vlerësime të tjera – që ndërroi jetë në moshën 90-vjeçare. Ashtu si në rastin e Maradonës, biografia përmbante shumë referenca mbi faktin se si ai e braktisi shkollën që në moshën 14-vjeçare, apo që bëri shumë punë fizike, para se të bëhej një aktor jashtëzakonisht i suksesshëm.

Por mes tyre nuk munguan dhe akuzat se Koneri ishte i dhunshëm ndaj gruas së tij të parë, aktores australiane Diane Silento, duke i shkaktuar shpesh asaj shenja në fytyrë.

Në autobiografinë e saj, botuar në vitin 2006, Silento tregoi sesi në një rast u mbyll në banjo për t’u mbrojtur, teksa Koneri e goditi në fytyrë, duke e rrëzuar përtokë, ndërsa një goditje e dytë “më fluturoi tej”.

Dhe nuk është se ka qenë një abuzues i penduar. “Unë nuk mendoj se ka ndonjë gjë veçanërisht të gabuar të godasësh një grua. Edhe pse nuk e rekomandoj ta bësh këtë, në të njëjtën mënyrë si me një burrë”- deklaroi ai në një intervistë për revistën “Playboy” në vitin 1965.

“Një shpullë është e justifikuar, nëse të gjitha alternativat e tjera dështojnë, dhe kur ka pasur paralajmërime të mjaftueshme”– shtoi ai. Koneri i konfirmoi pikëpamjet e tij në një intervistë me Barbara Uollters në vitin 1987, duke mos e dënuar dhunën në familje deri në vitin 2006. Dhe nuk është se këta burra të famshëm bëjnë përjashtim.

Ka shumë të tillë, dhe kjo nuk varet nga klasa, pasuria apo arsimi. Abuzuesit mund të jenë të talentuar dhe simpatikë, diçka që fansat e aktorit amerikan Xhoni Dep, e patën të vështirë ta besonin kur gjykatësi pranoi shumicën e akuzave të bëra nga ish-bashkëshortja e tij, Amber Hërd.

Për fansat e yjeve elitarë të sportit dhe aktorët fitues të çmimit Oskar, mund të jetë e dhimbshme ta pranojnë se heronjtë e tyre kanë abuzuar me gratë dhe partneret e tyre. Por dhuna në familje është një epidemi, dhe ajo nuk do të ndalet në kushtet kur injorohet nga fansat e shumë vipave. Që të gjithë kemi një përgjegjësi për këtë plagë sociale, dhe nuk mund të bëjmë sikur nuk e shohim, vetëm për shkak të talentit të dikujt.

Burimi i lajmit: https://www.theguardian.com/commentisfree/2020/nov/27/diego-maradona-violence-women-heroes-abusers

Përshtatur nga TIRANA TODAY

 

- Reklama -

Më shumë nga kategoria




Të fundit

Mesi e gjuajti me shpullë, sulmuesi i Bilbaos: Ai u nxeh sepse e bllokova

Sulmuesi i Atletik Bilbaos, Asier Vijalibre do të mbahet më shumë mend për faktin se detyroi Lionel Mesin të ndëshkohej me karton të kuq...

Qeverisje me PS? Duma: Zero shanse, ofendim për sakrificat e demokratëve

Ish-deputetja Grida Duma hodhi poshtë mundësinë e një koalicioni të madh mes PS- së dhe PD-së. E pyetur për thashethemet që qarkullojnë së fundmi për...

Mediu: Të biem dakort me PD-në sa më shpejt të jetë e mundur që të mundim Ramën

Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu është shprehur se bisedimet me Partinë Demokratike për arritjen e një marrëveshjeje vijojnë. Në ''Open”, Mediu tha se PR-së...

“Pyetjet i merr nga Basha“/ Gazetarja-Topallit: Merre telefonin shikoje

Gazetarja e ABC, Esiona Konomi dhe kryetarja e Lëvizjes për Ndryshim, Jozefina Topalli, janë përplasur në emisionin ''Log'' në lidhje me bashkëpunimin e tyre...

Akuza për spiunazh, Rusia dëbon dy diplomatë holandezë

Rusia ka dëbuar dy diplomatë holandezë në një veprim reciprok pasi Holanda dëboi dy diplomatë rusë në fund të vitit të kaluar. Ministria e Punëve...