Bota

Hodhi në erë avionin me pasagjerë, për paratë e siguracionit të jetës të gruas së tij

               Publikuar në : 13:38 - 12/07/19 S.N

Më 9 shtator 1949, avioni i linjës “Pacific Airlines Flight 108”, u ngrit nga porti i Kebekut në Kanada. Destinacioni ishte Seven Islands, një fshat peshkatarësh rreth 480 km larg. Përveç ekuipazhit prej 4 personazh, në bordin e avionit gjendeshin 19 pasagjerë, përfshirë 3 fëmijë. Para mbërritjes në destinacion, avioni do të ndalonte shkurtimisht në Baie Comeau.

Në fakt nuk mbërriti dot kurrë atje. Në orën 10:45, aeroplani u rrëzua si pasojë e një shpërthimi, rreth 65 km në verilindje të Kebekut, mbi një kodër të pyllëzuar. Të gjithë njerëzit që ndodheshin në avion të vdiqën. Mes viktimave ishte edhe Rita Guay, bashkëshortja 29 vjeçare e një tregtari bizhuterish nga Kebeku, i quajtur Joseph-Albert Guay, që në pamje të pamje dukej i shkatërruar nga kjo tragjedi.

Por më vonë u zbulua se ishte pikërisht Guay, ai që e kishte hedhur në erë avionin, në një përpjekje për të hequr qafe gruan e tij,dhe për të marrë paratë e siguracionit të saj të jetës. Joseph-Albert Guay, një kanadezo-francez i besimit katolik, lindi më 1918.

Shtatshkurtër dhe truphollë, Guay ishte gjithsesi një burrë më pamje simpatike, me një buzëqeshje të ëmbël që i tërhiqte gratë. Ai e donte muzikën, dhe ëndërronte të bëhej këngëtar ose të paktën një dirigjent orkestre. Por nuk kishte as zërin dhe as talentin për këtë.

Për këtë arsye, nisi të merrej me tregtinë e bizhuterive. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, u njoh dhe me pas u martua me Rita Morrel. Marrëdhëniet mes tyre ishin normale, deri kur çifti u bë me një vajzë. Guay filloi të shqetësohej se mos kujdesi i gruas ishte drejtuar tani më shumë tek fëmija, sesa tek ai vetë.

Në të njëjtën kohë, biznesi i tij niste të kishte probleme, dhe për pasojë filloi të zhytet në borxhe të mëdha. Si për t’i ndërlikuar edhe më tej punët, Guay u njoh dhe dashurua me kamerieren 17 vjeçare emrin Marie-Ange Robitaille, dhe nën emrin e rremë Roger Angers, nisi një lidhje të fshehtë me të.

Edhe pse deri në fyt me borxhe, dhe i martuar, Guay i bleu Marie-Ange një apartament, vetëm disa blloqe larg shtëpisë ku jetonte me gruan dhe vajzën, duke i kërkuar martohej me të. Kur Rita, që ishte vetë në një raport jashtëmartesor, e zbuloi lidhjen e të shoqit, ajo kërkoi divorcin.

Por meqë divorci në Kebekun katolik ishte në atë kohë i pamundur, Marie-Ange, pasi zbuloi se i dashuri i saj nuk ishte beqari Roger Angers, por i martuari me një fëmijë Albert Guay, e braktisi atë.

Guay mendoi se mund ta fitonte sërish Marie-Ange, por më së pari duhej t’i jepte fund martesës me Ritën. Në pamundësi të divorcit, ai vendosi ta vrasë atë. Kjo do ta lejonte të rimartohej, teksa siguracioni i jetës që kishte nënshkruar Rita, do të lehtësonte ndjeshëm borxhet e tij.

Guay u përpoq fillimisht ta helmonte, dhe i ofroi një personi 500 dollarë për ta realizuar helmimin, por kur kjo ofertë u refuzua, vendosi ta ekzekutojë gjatë udhëtimit me avion. Ai kërkoi ndihmën e Genereaux Ruest, për t’i përgatitur një bombë me sahat.

Ruest kërkoi ndihmën e motrës së tij, Marguerite Pitre, e cila bleu dinamit, siguresa dhe detonatorë. Në atë kohë blerja e pajisjeve të tilla, nuk ishte shumë e monitoruar. Ruest, që mori një sasi parash nga Guay, e bëri përgatiti bombën me 20 copë dinamit, bateri, dhe një orë me zile.

Pastaj Guay e nisi për një udhëtim gruan e tij, për të marrë një porosi pune në Baie Comeau. Por plani rrezikoi të dështonte në momentin e fundit. Siç dëshmuan më vonë dëshmitarët okularë në aeroport, ai dhe Rita debatuan ashpër, pasi ajo nuk donte të hipte në avion. Megjithatë, në fund ai e bindi, pasi bizhuteritë që kishte porositur, ishin tepër të nevojshme për biznesin e tij.

Ai i kishte paguar tashmë biletën e udhëtimit, dhe biznesi i tij – bashkë me të edhe financat e familjes – do të rrënohej, nëse ai humbte ato bizhuteri. Plot hezitim, Rita hipi në atë avion. Në fakt, ajo duhet të kishte dëgjuar instinktet e saj. Ishte një ditë e bukur plot me diell, dhe fluturimi po shkonte normalisht.

Papritmas, rreth orës 10:45, banorët e fshatit të vogël peshkimi Sault au Cochon, 40 milje në verilindje të Kebekut, dëgjuan një shpërthim të fortë në qiell. Ata panë një avioni, nga i cili po dilte tym i bardhë në anën e majtë. Avioni bëri një kthesë të fortë drejt veriut, dhe pastaj u përplas mbi një kodër aty pranë.

Me 23 viktima, ajo ishte një nga katastrofa ajrore më e rëndë në historinë e Kanadasë, prandaj edhe tërhoqi një vëmendje të madhe. Vëmendja u nxit edhe nga fakti se mes të vdekurve, ishin 3 biznesmenë të njohur amerikanë, drejtues të kompanisë “Kennecott Copper Corporation”. Që me marrjen e dëshmive të para, hetuesit e kuptuan se nuk bëhej fjalë për një aksident, por për një rrëzim të qëllimshëm të avionit.

Guay kishte llogaritur që shpërthimi të ndodhte në kohën kur avioni të ishte mbi lumin Shën Lorenc, në mënyrë që ai të zhytej brenda dhe të fshiheshin disi provat. Për fatin e tij të keq, avioni u ngrit në ajër 5 minuta më vonë, dhe kjo vonesë sabotoi përllogaritjet e kujdesshme të Guay.

Avioni u përplas në tokë, dhe reliket e tij do të ekzaminoheshin me imtësi nga ekspertët. Për funeralin e gruas së tij, Guay bleu një kurorë të madhe me lule. Një nga fqinjët e tij, ishte një korrespondent i revistës Time. Ai i tha se avioni ku udhëtonte bashkëshortja e tij ishte rrëzuar nga një shpërthimi i një bombe.

Guay bëri të habiturin:”S’mund ta besoj! E kush mund të jetë kaq mostër, sa të rrëzojë qëllimisht një avion plot me njerëz!”. Por shtirje të tilla, nuk i mbajtën larg hetuesit e policisë. Madje ai vetë ua bëri gjërat më të lehta. Vetëm 3 ditë pas rrëzimit të avionit, Guay u përpoq të tërhiqte shumën prej 10.000 mijë dollarësh kanadezë (rreth 110 mijë dollarë amerikanë sot), nga kompania e sigurimeve, ku gruaja e tij kishte siguruar jetën.

Njëkohësisht, u zbulua se një grua misterioze ishte shfaqur në aeroport atë ditë, për të dërguar një pako të rëndë në një adresë në Baie Comeau. Brenda disa ditësh, u zbulua se ajo grua ishte Marguerite Pitre. Ajo i tha policisë se ishte Albert Guay, ai që ia kishte dhënë pakon për ta dërguar në Baie Cumae, por ajo këmbënguli se nuk e dinte se çfarë kishte në të.

Pak ditë më vonë, Pitre u dërgua me urgjencë në spital, pasi kishte tentuar vetëvrasjen me një mbidozë pilulash për gjumë. Në spital, Pitre u dorëzua dhe i tha policisë se Guay i kishte treguar se në pako ndodhej një bombë, dhe më vonë e kishte inkurajuar të kryente më mirë vetëvrasje, pasi ishte ajo që do të fajësohej për krimin.

Joseph-Albert Guay u prangos më 23 shtator 1949, me akuzën e vrasjes së shumëfishtë. Ai u shpall fajtor në shkurtin e vitit 1950, dhe u dënua me vdekje, me varje në litar. Ai u ekzekutua më 12 janar 1951. Fjalët e tij të fundit ishin:”Të paktën po vdes i famshëm”. Pavarësisht se pretenduan pafajësinë, Ruest u ekzekutua më 25 korrik 1952, dhe motra e tij Pitre më 9 janar 1953, gruaja e fundit që është dënuar me varje në Kanada./ TIRANA TODAY

Kthehu
WhatsApp Denonco ne TT