Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong-un dhe presidenti i SHBA-ve, Donald Trump do të takohen kokë më kokë, në muajin maj.
Pas disa muajsh te deklaratave armiqësore, duket se më në fund do të kemi një hap pozitiv mes dy super fuqive, teksa pritet që të mbahet një takim historik mes Donald Trump dhe Kim Jong-un. Lajmin e bëri të ditur një delegacion i Koresë së Jugut, pas bisedimeve me Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.
Ata kaluan një mesazh verbal nga Kim Jong-un, teksa thanë se lideri i Koresë së Veriut ishte “i angazhuar për denuklearizim”.
Trump përshëndeti ‘progresin e madh’, ndërsa tha se sanksionet do të mbeten në vend. Presidenti i Koresë së Jugut, Moon Jae-in tha se ‘lajmi erdhi si një mrekulli’.
“Nëse presidenti Trump dhe Kim Jong-un do të takohen në një samit ndër-koreanez, atëherë denuklearizimi i plotë i gadishullit korean do të jetë në rrugën e duhur”, tha presidenti i Koresë së Jugut.
Edhe Kina e ka mirëpritur vendimin, teksa tha se çështja e gadishullit të Koresë ishte duke shkuar në drejtimin e duhur dhe bënte thirrje për “kurajë politike”.
Megjithatë, korrespodentët thonë se Veriu ka ndalur testet raketore dhe bërthamore gjatë bisedimeve të mëparshme, vetëm për t’i rifilluar ato sapo të humbasë durimin, apo kur të mos marrë atë që kërkon.
Njoftimi i fundit erdhi disa ditë pasi delegacioni i Koresë së Jugut zhvilloi një takim me Kim në Pyongyang. TIRANA TODAY