Në shtëpinë e të moshuarve janë 50 të moshuar, secili me nga një histori për të treguar. Por, sot ne kemi ardhur të takojmë Rizain, 77-vjeçarin nga Erseka. Ai u plagos kur ishte 22 vjeç e prej atëherë ka humbur shikimin.
“Unë jam plagosur pasi kam qenë 1 vit e gjysmë ushtar, duke bërë minat në një tunel. Po bëj 55 vjet i verbër, kështu them unë, po nuk e di mirë,”- rrëfen me humor për Tirana Today.
Me një optimizëm të admirueshëm, Rizai thotë se momenti më i vështirë ka qenë vetëm fillimi. Kjo, pasi kuptoi që jeta nuk do të ishte më e njëjtë për të. Ai nuk mundej të punonte, të argëtohej, të mësonte, asgjë nuk ishte më si më parë.
Por, shpejt e ndryshon situatën dhe me humorin që e karakterizon, tregon për Tirana Today se jeta i solli plot gjëra të bukura më pas.
Rizai nuk donte të ndjehej i padobishëm. Ndaj për 2 vjet mësoi harmonikën në Shkollën e Kulturës.
“Një vit, pasi isha kthyer në shtëpi prej spitalit, i them babait tim, që doja të mësoja harmonikën.”
Kjo gjë bëri që të ishte pjesë e gëzimit të çdo çifti që sapo martohej. Ai, së bashku me orkestrën e tij, për vite me radhë nuk mungonte në asnjë dasmë në Ersekë.
Por, Rizai kurrë nuk pati një dasmë të vetën. Nuk do të zgjatet shumë në këtë temë.
“Këto nuk i hap unë, atë që doja të merrja, nuk e merrja dot më. Isha i verbër. Unë vendimin e mora që në fillim, madje edhe prindërve i thashë, që unë ‘jam martuar me minën në Kukës’.”
Teksa e pyesim, nëse do të donte të kishte fëmijë, Rizai me një zë jo shumë bindës, thotë se nuk do të ndryshonte gjë. Pasi, në fund ata do të iknin të jetonin jetën e vetë dhe ai përsëri do të mbeste vetëm. Ashtu siç janë shumë të tjerë të moshuar në Shtëpinë e të Moshuarve.
Por, Rizai nuk jeton me pendesa. Ai jeton me kujtime, me jetën ashtu siç ka qenë 55 vite më parë.
“Unë jam dëmtuar në shtet dhe do të vdes në shtet, andaj edhe unë kam më shumë se 18 vjet që qëndroj këtu te azili i të moshuarve. Kam shumë motra, vëllezër, nipër e mbesa, por asnjëherë nuk kam dashur të jetoj me ta. Unë jam i zoti i vetes, çdo gjë e bëj vetë. Pasi, kjo është jeta ime tani,”-mbyll rrëfimin Rizai, teksa nxjerr harmonikën e tij dhe luan disa nota. Tirana Today