Historia do ta gjykojë ashpër tradhtinë që Perëndimi i ka bërë Sirisë

Nga Dominique Moisi “World Crunch’

Ndërsa këtë muaj shënojmë përvjetorin e 10-të të trishtuar të fillimit të luftës civile në Siri, menjëherë të vjen në mendje citati i politikanit francez Bulej de la Merte:“Më keq se sa një krim, është një gabim!”.

Nuk është çështja të krahasojmë faktet lidhur me ekzekutimit që Napoleon Bonaparti i bëri  Dukës Engien në vitin 1804, një trashëgimtar i mundshëm i fronit të Francës në atë kohë, me botën perëndimore që braktis popullin Sirian në fillim të shekullit 21. Por në të dyja rastet, gabimi i bërë nuk është vetëm etik, por mbi të gjitha politik.

Nuk ka të bëjë vetëm me vlerat, por edhe me interesat. Duke vrarë një princ të pafajshëm, Napoleoni e bëri Dukën martir dhe ktheu opinionin evropian kundër tij, ose të paktën fisnikërinë franceze, të cilën ai pati filluar ta “zbuste”.

Krahasimi mes dy epokave të ndryshme qëndron se duke lënë në mëshirë të fatit një popull dhe një vend, krimi i vetëm ishte në kohën e Pranverës Arabe, duke mos pranuar brutalitetin, jo-efikasitetin dhe korrupsionin e një regjimi despotik, ku për pasojë demokracitë perëndimore përshpejtuan procesin e tyre të rënies historike.

Duke denoncuar verbërinë e klasës politike britanike në prag të Luftës së Dytë Botërore, Uinston CCurccill u tha atyre: “Juve ju dhanë të zgjidhni mes luftës dhe çnderimit. Ju zgjodhët çnderimin dhe do të keni luftë.”E njëjta gjë ndodhi edhe me Sirinë, ne ishim të verbër dhe përballeshim me “çnderim, pastaj kaos”, pasi nuk ishim në gjendje të kuptonim se mbajtja e atij regjimit vazhdonte të sillte kaos.

Qyteti francez i Sen Lo, i cili ishte shkatërruar pothuajse tërësisht nga bombat amerikane natën e 5 qershorit 1944, u përshkrua si “kryeqyteti i rrënojave”. Sot, Bashar al-Assad meriton nofkën “despoti i rrënojave”.

Pas 10 vjetësh luftime vdekjeprurëse që kanë lënë gati 400.000 të vdekur dhe zhvendosur më shumë se gjysmën e popullsisë Siriane, ai arriti të qëndrojë në pushtet falë njerëzve pa dinjitet dhe mungesës së vizionit strategjik të disave, dhe vendosmërisë dhe cinizmit absolut të të tjerëve.

Por Asad vazhdon të mbretërojë mbi një vend të shkatërruar, të copëtuar dhe të dëshpëruar që duket sikur po bëhet për botën e shekullit 21 ashtu siç ishte Polonia ishte për Evropën e shekullit të 18-të:“Sheshi i lojërave të Zotit”, në mos një fushë për të bërë prova me armët e reja.

Sirianët nuk presin më asgjë nga bashkësia ndërkombëtare. Ata tashmë e kanë pranuar faktin se asnjë shpresë nuk mund të vijë nga jashtë. Ata ndihen plotësisht të braktisur. Pyetja e vetme që ata ende i bëjnë vetes është: Pse? Pse një mungesë e tillë ndjeshmërie dhe shqetësimi për vuajtjet e tyre, dhe pse në epokën e fuqisë dhe revolucionit të informacionit?

Me fjalë të tjera, askush nuk mund të pretendojë se nuk e dinte se çfarë po ndodhte në Siri.

Përgjigja e kësaj pyetjeje qëndron në tre fjalë: injorancë, paragjykim, dhe me shumë gjasa frikë. Nën hijen e një regjimi që u mbylli gojën të gjitha formave të kundërshtimit dhe mos heqjes dorë nga armët kimike dhe sulmet e shenjestruara, shoqëria civile siriane ishte bërë “e padukshme” prej një kohe shumë të gjatë, që kur familja Asad mori pushtetin në vitin 1970.

Nga njëra anë kishte një regjim jashtëzakonisht brutal, dhe nga ana tjetër një popull pak misterioz, të cilin ne zgjodhëm të mos e shikonim ndryshe nga regjimi i tij – gjithçka për të shmangur ballafaqimin me dilemat e komplikuara.

Të vetmit që ne veçuam nga popullsia siriane ishte sigurisht elementi më i njohur i tij, pakica e tyre e krishterë. Ishte një zgjedhje e kuptueshme, por e diskutueshme në nivelin etik, dhe aq më tepër në atë politik, nëse ajo do të bënte një sy qorr para përdorimit të armëve kimike nga regjimi kundër qytetarëve të saj. Është njësoj sikur të gjithë të vdekurit të mos jenë të barabartë.

Edhe në këtë rast, ekzistonte frika nga ISIS dhe islamistët. Mungesa e ndjeshmërisë është një gjë, mungesa e vizionit strategjik është një gjë tjetër. Në rastin e Sirisë, ato pasuan njëra-tjetrën.

Kur Presidenti Francez Emmanuel Macron erdhi në pushtet në vitin 2017, ai tha se “regjimi i Asadit, ndryshe nga ISIS, nuk ishte armik i Francës”. Si mundej Franca, vendi i lirisë dhe i të drejtave të njeriut, të mos ishte armikja i një presidenti që mbyti me gaz qytetarët e tij?

Duhet vetëm një moment neglizhence ose shpërqendrimi për të humbur ligjshmërinë.

Përkrah popullit sirian, të cilët natyrisht janë viktimat kryesore të konfliktit, ka shumë humbës dhe shumë pak fitues.

Nuk është e lehtë të rendisësh gabimet e bëra, por ato të Presidentit Barak Obama janë të shumta në këtë listë. Duke refuzuar të zbatonte vijën e kuqe që ai vetë kishte vendosur, duke mos sanksionuar (ose vetëm shumë pak) përdorimin e armëve kimike kundër Sirianëve nga regjimi i Asadit, presidenti i Shteteve të Bashkuara u bë bashkëpunëtor i këtyre krimeve. Ndërsa në këtë rast ai trashëgoi disa teprime nga paraardhësi i tij George W. Bush, sigurisht që për të nuk qe e lehtëqë të ndërmerrte rrezikun e një ndërhyrjeje ushtarake në shkallë të gjerë në Siri.

Por duke mos mbajtur një qëndrim, qoftë edhe me sulme ajrore ndëshkuese, ai dha përshtypjen e heqjes dorë – një veprim i papërgjegjshëm, për më tepër që ai vijoi me vite të bënte deklarime të zbrazëta. Nga Uashingtoni në Paris, përmes Jeruzalemit, a nuk njoftuan udhëheqësit e botës perëndimore me radhë fundin e afërt dhe të pashmangshëm të regjimit të Bashar Al-Asadit ? Duhet vetëm një moment neglizhence ose shpërqendrimi për të humbur legjitimitetin dhe besueshmërinë që na u deshën vite për ta ndërtuar.

Në anën e fituesve janë Rusia dhe tre fuqitë rajonale joarabe të Lindjes së Mesme: Irani, Turqia dhe disi paradoksalisht, Izraeli, i cili ka përfituar dyfish nga copëzimi në rritje i rajonit dhe nga frika e unifikuar kundër bashkimit të Iranit. Nga ana e “humbësve”, mungesa e vizionit strategjik reflekton vetëm mungesë të qartësisë morale.

Duke braktisur sirianët në fatin e tyre tragjik, demokracitë perëndimore jo vetëm që kanë tradhtuar vlerat e tyre por edhe interesat e tyre. Tragjedia siriane do të mbetet një përshpejtues i humbjes së besimit në Perëndimin demokratik.

burimi – https://worldcrunch.com/syria-crisis-1/on-the-west39s-betrayal-of-syria-history-will-not-be-kind

Përshtatur për Tirana Today