Zbulohen të tjera detaje lidhur me rastin e gjyqtarit të Apelit të Tiranës, Shkëlqim Miri.
Mësohet se 2 persona kanë kryer rolin e sekserëve për paratë që dyshohet se ka marrë Miri në këmbim të votës pro lënies në fuqi të një vendimi të Gjykatës së Matit, që i kualifikonte veprën të akuzuarit Gentian Doda, nga “vrasje me paramendim” në “plagosje të rëndë me dashje”, me pasojë vdekjen.
Sekserët janë identifikuar si shtetasit Alban Buçi dhe Kujtim Miri. Ky i fundit është djali i xhaxhait të Shkëlqim Mirit, ndërsa Alban Buçi është njeri i afërt me të akuzuarin Gentian Doda.
Ata kanë ndërmjetësuar dhe kanë qenë pjesë e takimeve ku është konsumuar vepra penale e “korrupsionit”. Hetimet për Shkëlqim Mirin kanë nisur në janar të këtij viti, pas informacioneve se gjykatat shqiptare po kryenin manovra për t’i dhënë liri të akuzuarit për dy vrasje, Gentian Dodës.
Buçi dhe Miri dyshohet se janë takuar në maj disa herë për të negociuar lidhur me pagesën që do të kryhej te gjyqtari.
Buçi ka dorëzuar paratë te Kujtim Miri, i afërmi i gjyqtarit dhe më pas ka njoftuar Gentian Dodën për kryerjen e transaksionit.
Sipas hetimeve, takimet janë bërë në Fushë-Krujë dhe dyshohet se pagesa ka qenë 20 mijë euro, në këmbim të votës pro lënies në fuqi të vendimit të Gjykatës së Matit.
Prokuroria ka si prova kamerat e sigurisë së lokalit ku është kryer takimi mes sekserëve, si edhe SMS-të që ka shkëmbyer Buçi me Gentian Dodës për arritjen e marrëveshjes, raporton Panorama.
Megjithatë, pozita e gjyqtarit rëndohet shumë, pasi në një kontroll në banesën e tij, Policia ka gjetur një sasi të konsiderueshme lekësh, dollarësh dhe eurosh, që në total shkojnë rreth 33 milionë lekë të rinj. Kjo pasuri nuk i afrohet aspak asaj që ka deklaruar gjyqtari, e cila është afërsisht 3 milionë lekë të rinj.