Editorial - Opinione

Heshtja e Amerikës, po ndihmon triumfin e autokratëve

               Publikuar në : 12:21 - 09/09/19 S.N

Nga Larry Diamond “Foreign Policy”

Që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë, demokracia ka shënuar shumë arritje. Por sot fati i lirisë, varet nga një ekuilibër global. Me një guxim dhe vendosmëri mbresëlënëse gjatë muajve të fundit, qytetarët e zakonshëm në Algjeri, Sudan, Venezuelë dhe Hong Kong, kanë treguar se aspiratat për demokraci nuk vdiqën me dështimin e Pranverës Arabe në vitin 2013. Apo qoftë edhe me ngritjen e një Kine të pamëshirshme, agresive dhe neo-totalitare.

Përballë shtypjes brutale shtetërore, mobilizimi i guximshëm i qytetarëve të zakonshëm, që ngrihen në mbrojtje të drejtave të tyre, duhet që të frymëzojë të gjithë ata që jetojnë në demokracitë e vjetra liberale. Njëkohësisht, erërat e forta të populizmit, intolerancës ndaj minoriteteve, dhe gatishmërisë për të shkelur normat kushtetuese, që kanë gërryer demokracitë në vende si Hungaria, Turqia dhe Bangladeshi, po hedhin tani hije mbi të ardhmen e demokracisë në Filipine, Poloni dhe Indi.

Një rënie dhjetëravjeçare e lirisë dhe demokracisë, mund të përshpejtohet në një valë tronditëse të kolapseve të demokracisë, kur prirja politike globale demokratike do të zhvendosej me vendosmëri drejt autokracive, që përpiqen aktivisht të formësojnë rajone të ndryshme të botës sipas vizionit të tyre.

Të tilla janë diktaturat cinike dhe ambicioze në Rusi, Iran, Arabinë Saudite dhe Kinë. Ndërkohë, mobilizimi paqësor i pushtetit të njerëzve, dhe organizimi i zgjuar i lëvizjeve pro-demokracisë, mund të sjellë atë që presidenti amerikan Abraham Linkoln e quante dikur “një lindje të re të lirisë”.

Njerëzit bëjnë historinë e tyre, por kjo nuk ndodh në një vakum. Dhe qeveria e Shteteve të Bashkuara nuk mund t’ja bëjë lirinë si dhuratë çdo vendi, qoftë përmes grykës së armëve, apo përmes një sasie të madhe dollarësh.

Në çdo epokë, ajo që bëjnë demokracitë më të fuqishme si mbrojtja e të drejtave të njeriut, mbështetja e liderëve demokratë, forcimi i institucioneve, dhe pengimi i shtypjes shtetërore, mund të ndihmojë në arritjen e një ekuilibri midis diktaturës dhe demokracisë.

Dhe kjo balancë mund të ndërtohet edhe paqësisht, pa përdorur forcën ushtarake. Bota ndodhet sot në një pikë kyçe të historisë, kur amerikanët duhet të përdorin sërish zërin e tyre kolektiv – dhe burimet e tyre diplomatike dhe financiare – për të rezistuar në emër të lirisë.

Ose për t’u larguar dhe thënë:”Kjo nuk është lufta jonë; nuk janë punët tona!”, duke ndjekur ndërkohë interesat e ngushta kombëtare, sado të shëmtuara që mund të duken ato. Në botën e sotme të globalizuar, modelet, tendencat dhe idetë shpërndahen përtej kufijve.

Bota është zhytur tanimë në një garë të ashpër globale idesh, informacioni dhe normash. Në epokën dixhitale, kjo garë po ndodh me një shpejtësi të rrufeshme. Ajo po dikton mënyrën se si mendojnë njerëzit mbi sistemet e tyre politike, dhe rendin e ardhshëm botëror.

Dhe kjo nuk është një garë, të cilën demokracitë kanë luksin ta humbasin. Sidomos tani, kur dyshimet dhe kërcënimet mbi demokracinë janë në rritje në Perëndim. Situata është më e pasigurt, pasi regjimet autoritare po paraqesin gjithnjë e më shumë një kërcënim direkt ndaj sovranitetin popullor dhe shtetit ligjor në demokracitë e konsoliduar.

Flukset e fshehta të parave, ndikimit dhe mesazheve në mediat sociale, po shkatërrojnë dhe korruptojnë proceset zgjedhore dhe institucionet demokratike nga SHBA dhe BE. Nëse amerikanët dëshirojnë vërtetë të mbrojnë parimet thelbësore të vetëqeverisjes, transparencës dhe përgjegjshmërisë në vendin e tyre, ata s’kanë zgjidhje tjetër përveçse t’i promovojnë ato globalisht.

Mbi të gjitha, nëse amerikanët nuk shqetësohen mbi cilësinë e qeverisjes në vendet me të ardhura të ulëta, bota do të ketë gjithnjë e më shumë shtete të trazuara dhe të dështuara. Uria dhe gjenocidi, janë mallkimi i shteteve autoritare dhe jo demokratike. Dhe kolapsi i një shteti, është “fryti” i fundit i hidhur i një tiranie.

Njerëzit largohet nga vendi, kur shtete si Siria, Libia dhe Afganistani, zhyten në një luftë civile. Ata ikin kur vendet e varfra në Afrikë, nuk arrijnë të krijojnë vende të reja pune dhe të përmirësojnë jetën e njerëzve të tyre për shkak të qeverisjes së keqe. Apo edhe kur shoqëritë e vendeve të Amerikës Qendrore, mbahen peng nga bandat kriminale brutale dhe sundimtarët kleptokratikë.

Dhe ata shkojnë më shpesh në Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian. Bota është sot thjesht tepër e vogël për t’i injoruar shtetet e dështuara, duke pretenduar sikur ato gjenden në një planet tjetër. Evropa dhe Shtetet e Bashkuara, nuk mund t’i rezistojnë edhe për shumë kohë presioneve në rritje të emigracionit.

Mbështetja e zhvillimit demokratik në mbarë botën, është një mjet jetik për të penguar liderët autoritarë të marrin drejtimin e punëve të botës. Qeveritë e zgjedhura në mënyrë demokratike, dhe që kanë shoqëri të hapura, nuk do të mbështesin për çdo çështje linjën e SHBA-së.

Por asnjë shoqëri e lirë, nuk dëshiron ta hipotekojë të ardhmen e saj në një vend tjetër. Interesat jetike kombëtare të Shteteve të Bashkuara, do të siguroheshin më së miri nga një botë pluraliste e vendeve të lira, ku kundërshtarët e fuqishëm nuk mund ta përdorin dot korrupsionin dhe shantazhin, për të gëlltitur burimet dhe territoret e vendeve të tjera.

Ndaj kësaj qasje ka shumë kritikë. Disa thonë se promovimi i demokracisë është arrogant, ose një çështje që nuk i përket Amerikës. Kjo nuk është e vërtetë. Por nga ana tjetër nuk do të thotë se Uashingtoni duhet t’u imponojë të tjerëve modelin e vet të demokracisë. Dhe as promovimi i demokracisë, nuk duhet të bëhet në një mënyrë arrogante.

Si një diplomat me përvojë jashtë vendit, unë kam zbuluar që hapja dhe përulësia janë shumë më efektive. Ekziston një kritikë tjetër, sipas së cilës amerikanët duhet ta vendosin Amerikën të parën. Dhe kjo do të thotë që duhet të mbështeteshim aleatët autoritarë, sa herë kemi nevojë për ta. Edhe kur ata janë të korruptuar si Abdel Fatah El-Sisi në Egjipt.

Por edhe midis aleatëve autoritarë, diplomatët amerikanë mund dhe duhet të ngrenë shqetësime mbi të drejtat e njeriut, të kërkojnë llogari, dhe të inkurajojnë një reformë politike graduale.

Së fundmi, kritikët argumentojnë se promovimi i demokracisë është shumë i rrezikshëm. Apo se ai nuk mund të sjellë asnjë ndryshim. Në fakt, historia flet ndryshe. Nga Portugalia në Afrikën e Jugut dhe Kili, ndihma ndërkombëtare ka ndihmuar në kryerjen e tranzicioneve të plota drejt demokracisë në rrethanat më të rrezikshme.

Nuk ka shumë të ngjarë që qytetarët në Filipine, Tunizi ose Ukrainë do të jenë më mirë – apo që SHBA-ja do të jetë më e sigurt – nëse këto vende rrëshqasin drejt autokracisë. Nga ana tjetër, s’ka asnjë garanci, se një përpjekje për të vendosur demokracinë do të ketë sukses.

Por SHBA-ja nuk duhet t’u thotë njerëzve që luftojnë për lirinë, se situatës është shumë e rrezikshme për ta, dhe e papërshtatshme për amerikanët. Ndihma në mbrojtje të lirisë së tyre, është e rëndësishme për sigurinë kombëtare të Amerikës, dhe për amerikanët si popull./ TIRANA TODAY

Kthehu
WhatsApp Denonco ne TT