Hemofilia, sëmundja e gjakut që ka rrënuar familjet mbretërore

Për shekuj me radhë, hemofilia ka qenë një çrregullim i rrezikshëm gjenetik pa një kurë. Shpesh, fëmijët me hemofili nuk e arrinin moshën e rritur, pasi një përplasje apo rrëzim në tokë, mund të shkaktonte një hemorragji të brendshme të madhe.

Por pse hemofilia njihej si sëmundje mbretërore? Pasi deri në shekullin XIX-të, martesa mbretërore nënkuptonte që familjet mbretërore të Evropës kishin një grup gjenesh të njëjta. Dhe Mbretëresha e Britanisë së Madhe Viktoria, produkt i martesave midis kushërinjve për breza të tërë, barti një mutacion të rrallë gjenetik që shkaktoi hemofili. Ajo ua kaloi atë tre fëmijëve të saj, të cilët vazhduan të martoheshin me familje të tjera mbretërore, duke e përhapur çrregullimin.

Në Rusi, hemofilia e trashëgimtarit të Romanoveve e shtyu familjen e tij të afronte në oborr mistikun Rasputin, që i premtoi një shërim magjik. Në Spanjë, 2 djem të mbretit vdiqën pas aksidenteve të vogla me makinë. Ndërsa Viktoria përjetoi vuajtjet e mëdha të djalit të saj, Princit Leopold, deri sa vdiq në moshën 31-vjeçare.

Mjekët filluan që të zhvillojnë trajtime për të shpëtuar jetën e të sëmurëve  në mesin e shekullit XX-të, duke zgjatur ndjeshëm jetëgjatësinë e fëmijëve hemofilikë. Por gati në të njëjtën kohë, u zhduk edhe lidhja mbretërore me këtë sëmundje, kur vdiq stërnipi i fundit i Viktorias që vuante nga hemofilia.

Hemofilia nuk ishte e kufizuar vetëm tek familjet mbretërore, por martesa mbretërore midis të afërmve në linjën e gjakut, kalonte një formë të rrallë të hemofilisë tek shumë familje. Martesat mbretërore ndihmuan shumë në përhapjen e çrregullimeve gjenetike.

Për shembull mbretëresha britanike Viktoria, lindi 9 fëmijë, shumica e të cilëve u martuan me mbretër të tjerë evropianë. Familjet e sotme mbretërore në Gjermani, Norvegji, Rusi, Suedi, Greqi dhe Spanjë, e kanë origjinën e tyre tek Mbretëresha Viktoria.

Duke i martuar me fëmijët e saj në familje të tjera mbretërore, Mbretëresha Viktoria ia kaloi gjenet hemofilie familjeve të shumta mbretërore në Evropë. Prandaj, hemofilia u bë e njohur si sëmundja e mbretërve. Viktoria sundoi gjatë viteve 1837-1901.

Për breza të tërë në Shtëpinë e Hanoverit, mbretërorët u martuan me kushërinjtë e tyre. Midis viteve 1680-1840, kjo shtëpi mbretërore pati 6 martesa midis kushërinjve, mes të cilëve 3 mes kushërinjve të parë. Në Rusi, Romanovët u martuan me linjën e Mbretëreshës Viktoria kur mbesa e saj Aleksandra u martua me Car Nikollën.

Djali dhe trashëgimtari i tyre Aleksei ishte hemofilik. Romanovët kishin frikë se gjendja e dobët fizike e Alekseit do të sillte edhe fundin e shpejtë të tij. Në fakt, gjendja e Alekseit  diktoi fatin e historisë ruse. Nëna e tij Aleksandra, lidhi një marrëdhënie të ngushtë me Grigori Rasputin, murgun që pretendonte se kishte fuqi shëruese.

Por Aleksei nuk vdiq nga hemofilia. Ai u ekzekutua në moshën 13-vjeçar nga bolshevikët, gjatë revolucionit Rus. Në fillim të shekullit XIX-të, mjekët kishin pak mundësi për trajtimin e hemofilisë. Por në vitet 1930, mjekët e kuptuan se disa helme të gjarprit, shkaktonin mpiksjen e gjakut.

Ndaj helmi i holluar i gjarprit u përdor për të trajtuar disa pacientë që vuanin nga hemofilia.

Para shekullit XX, transfuzionet e gjakut ishin të rralla dhe shpesh të rrezikshme. Kur u përmirësua teknologjia e transfuzionit të gjakut, hemofilikët mund të merrnin transfuzione që u shpëtonin jetën.

Por para këtij momenti, fëmijët mbretërorë me hemofili këshilloheshin që të shmangnin aktivitetin fizik. Në fillimin e viteve 1900, jetëgjatësia për pacientët me hemofili ishte rreth 13 vite.

Ndërkohë, teknologjia e re e transfuzionit të gjakut, e zhvilluar gjatë Luftës së Dytë Botërore, e zgjati jetëgjatësinë e një personi me hemofili të rëndë në gati 20 vjeç deri në vitin 1960. Deri në vitin 1980, jetëgjatësia mesatare  e pacientëve me hemofili kishte arritur në 60 vjeç. Kjo falë përparimeve të reja në trajtime, dhe veçanërisht aftësisë për ta përqendruar faktorin VIII të koagulimit.

Burimi i lajmit: https://www.ranker.com/list/hemophilia-royal-family-blood-disease/genevieve-carlton?ref=bro%C3%ABse_list

Përshtatur nga TIRANA TODAY