E shtunë, 12 Qershor, 2021
27.5 C
Tirana

Hej, demokratë të dashur, provat për Berishën ia bëjnë mu

Nga Mustafa Nano

Lajmi se Sali Berisha është shpallur persona non grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (po ndalem edhe një herë te kjo çështje e cila është e rëndësishme, është ende e pranishme në debatin politik e publik, kombëtar e ndërkombëtar.

Jo më herët se dje Joe Biden, Presidenti i Amerikës, ka lëshuar një urdhër ekzekutiv që ka në fokus sojin e berishave në Ballkan) ka tronditur demokratët. I ka tronditur mirfilltazi ata. I ka mpirë. Ata nuk po ftillohen dot. Gati-gati nuk e besojnë ende atë që ka ndodhur.

Sali Berisha, si të këtë jetuar më këtë lloj përjetimi që demokratët po i bënin ngjarjes që ishte e lidhur direkt me të, menjëherë ngriti një padi nga pozitat e një njeriu të lënduar, e një njeriu të ndershëm i cili po akuzohej si i korruptuar. Demokratët, në fakt, janë duke pritur që dikush t’u japi prova që vërtetojnë se Sali Berisha ka qenë i korruptuar, se Sali Berisha ka minuar demokracinë shqiptare, e në përgjithësi, për të vërtetuar akuzat që Departamenti i Shtetit ka ngritur në ngarkim të Sali Berishës.

Demokratët pra, po presin që dikush t’u japi provat, ndonëse ata janë të sigurt – duhet të jenë të sigurt – se amerikanët si të informuar që janë, dinë disa gjëra që demokratët vet nuk i dinë. Janë të lezetshëm demokratët! Nuk u shkon mendja se amerikanët mund të mos dinë asgjë që ne nuk e dimë, që ata gjithashtu nuk e dinë.

Çfarë ne dimë nuk është pak. Çfarë ne dimë janë prova e shkuar provave.

Po ndalem fillimisht te korrupsioni, dhe po jap një numër provash që besoj se edhe demokratët i dinë. Për sa i takon korrupsionit, Sali Berisha prej pothuajse dhjetë vjetësh jeton në një vilë (po një alamet vile!) në Lalëz. Ajo është një vilë kolosale, një nga vilat më të mëdha private të bregdetit shqiptar, ndoshta edhe të bregdetit Adriatik. Ai jeton atje, dhe të gjithë demokratët e dinë këtë gjë. Madje, mijëra demokratë që kanë qëlluar të jenë në Lalëz, e kanë parë vet me sytë e tyre. Kanë parë vilën kolosale që është në buzë të detit.

Dhe në fakt, midis detit dhe vilës është një kopsht i madh, i jashtëzakonshëm, që i takon vilës gjithashtu, dhe që është po aq i madh sa edhe arena e Koloseut, apo sa është gjysma e stadiumit të Realit të Madridit. Kjo është e vërtetë. Mund të bëni verifikime.

Demokratët e dinë këtë gjë. Dhe ndoshta atyre u bëhet zemra mal që ai njeri, prijësi i tyre, ka ditur të mendojë për veten dhe për familjen. Ndoshta për këtë arsye e adhurojnë. Sipas një standardi shqiptar, e adhurojnë për faktin se ai ka ditur të mendojë për veten.
Një provë tjetër do të ishte një shkresë që daton andej nga viti 2007, e Ministrisë së Mbrojtjes, ku një dorë e kujdesshme, apo e shkujdesur kishte shtuar bashkë me siglimin e shkresës: “Për dijeni: Shkëlzenit.”.

Sikur ky monolog që unë po mbaj të zbardhej nga ndonjë gazetar i huaj, të transkriptohej dhe të publikohej në mediat e huaja (sikur!), do të duhej një asterisk, i cili do të përcillej edhe në fund të faqes, dhe ku do të thuhej: “Shkëlzeni, i biri i Sali Berishës që ka dy diploma Master.”.

Ky është informacioni më i fundit që na e dha Sali Bershia, teksa ishte në programin e Arian Çanit. Dhe nuk e morëm vesh pse na e dha, se nuk na duhej. Për çfarë mund të duhet një informacion i tillë?!

Një provë tjetër do të ishte fakti se vetëm një ditë përpara gjyqit të Ilir Metës, që në letër do të duhej të ishte gjyqi më i fortë në historinë postkomuniste shqiptare, Sali Berisha i shoqëruar nga bashkëshortja e mbajtën frymën në shtëpinë e Ilir Metës. Dhe ai bëri shumë kujdes që kjo vizitë, e cila është e vetmja, e para dhe e fundit, që ai ka bërë në shtëpinë e një bashkëpunëtori në tridhjetë vitet e fundit të bëhej lajm. Ai njoftoi gazetat e televizionet, dhe vizita, për fatin e mirë të Ilir Metës, u bë lajm. Dhe frytet u morën vesh se cilat ishin.

Pastaj vjen Gërdeci. Ajo që ndodhi në Gërdec ishte një tragjedi, e cila nuk ka ndodhur asnjëherë në historinë politike dhe shtetërore të Shqipërisë. Atë ditë, të gjithë ne që banonim në Tiranë e përjetuam në mënyrë të fortë atë ngjarje. Pamë shtëllungat e tymit e të flakëve që pushtuan Gërdecin. Madje dëgjuam edhe ushtimën e shpërthimit. Madje ndjemë edhe dridhjet e tokës. Atë ditë, Shkëlzeni (shkoni poshtë tek asterisku. Mos harroni!) ka bërë një numër, më shumë se një duzinë, telefonatash me njerëz të përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë në biznesin ilegal që u finalizua me atë tragjedi.

Demokratët mendojnë se amerikanët duhet të dinë me shumë sesa kaq?! Në fakt, amerikanët dinë më shumë sesa kaq. Ashtu si ne (duke përfshirë edhe demokratët), ata dinë më shumë sesa kaq. Unë po i lë mënjanë një numër ngjarjesh shumë të rëndësishme, të cilat kanë shenjuar tranzicionin tonë nga komunizmi drejt demokracisë. Po lë mënjanë faktin se Sali Berisha, një vit pasi erdhi në pushtet, si të donte të përuronte karrierën e vet, arrestoi liderin e opozitës, një gjë skandaloze për çdo vend demokratik.

Lexo edhe :   Spahiu: Berisha do të rikthehet në krye të PD, ja arsyet

Tre vjet më vonë, në zgjedhjet e përgjithshme, në vitin 1996, ai shkatërroi një palë zgjedhje. Dhe me këtë vepër, është përuruar stina e pafundme e manipulimeve elektorale që vazhdon ende në Shqipëri. Dy ditë pas asaj ngjarje, u rrahën deputetët e opozitës në sheshin “Skëndërbej”. Pastaj vjen viti 1997, i cili nuk ishte gjë tjetër, vetëm një rrënim i programuar i shtetit shqiptar.

U hapën depot, dhe pati zëra që donin të nxisnin edhe luftën civile. Pastaj, në shtator të vitit 1998, turmat vandale të drejtuara, të organizuara, të urdhëruara nga Sali Berisha iu vërsulën kryeministrisë dhe institucioneve të tjera duke mbajtur në krahë arkivolin e Azem Hajdarit, i cili (këtu po bëj një saktësim) u vra për motive jo fort të fisme. Dhe ky është një vendim i gjykatës. Nuk është Muç Nano që po e thotë. Ky është një mendim zyrtar i Republikës së Shqipërisë.

Lexo edhe :   Berisha-Meta në krye të opozitës dhe kuatrinat e Nostradamusit

Dhe Partia Demokratike e të tjerë, nuk kanë marrë mundimin ta rihapin atë gjyq, pavarësisht se i kanë pasur të gjitha mundësitë. Por ata nuk e bënë këtë gjë. Nëse do ta kishin bërë, do të shpëtonin nderin e Azem Hajdarit (nëse do të mund të shpëtohej). Por merret vesh se përse nuk e kanë bërë.

Unë po i lë mënjanë të gjitha këto ngjarje, përfshirë edhe të tjera që nuk i përmend dot, dhe po fokusohem te një ngjarje që për mua është krimi më spektakolar i kryer nga Sali Berisha. Ndoshta nuk është krimi më i rëndësishëm, por është më spektakolari. Ai daton më 21 janar të vitit 2011. Atë ditë Sali Berisha urdhëroi të shtihet me armë kundër protestuesve të opozitës që ishin aty paqësorë, të paarmatosur, të pafajshëm dhe të parrezikshëm.

E mbani mend se çfarë bëri Sali Berisha në daljen e parë televizive që bëri pas krimit të kryer? Ai doli dhe tha: “Ka prova të qarta se ky krim i shëmtuar, vrasja e katër protestuesve, është bërë nga brenda, është bërë nga socialistët.” Pra, pasi kreu krimin, donte t’ua faturonte atë viktimave. Për fat të mirë, fal punës fantastike të gazetarëve u mor vesh e vërteta. Ajo e vërtetë e tërboi, e nxori nga binarët Sali Berishën, i cili nuk dinte ç’të bënte. Ai bëri çmos për t’u mbrojtur. Fillimisht, ai u mburr se do të kishte vrarë jo katër, por katërqind vetë, nëse do të kalonin gardhin.

Vini re!!! …Nëse do të kalonin gardhin. Ai gardh nuk ekziston më. Dhe pastaj, ai bëri një numër gjërash të tjera. Bllokoi tërësisht hetimin e ngjarjes. Ai fshehu, ndoti e zhduku një sërë provash të këtij krimi, si për shembull filmimet e kamerave që janë në murin e kryeministrisë. Ai refuzoi t’i bindej urdhrit të prokurorëve për ndalimin a marrjen në pyetjeve të njerëzve të akuzuar e të përfshirë në ngjarje. Ai e quajti Prokuroren e Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë – një zonjë e nderuar – një putanë bulevardi.
Ky njeri shpiku edhe grushtin e shtetit. Madje, ngriti edhe një komision parlamentar që kishte për synim të hetonte grushtin putativ dhe fantomatik të shtetit. Unë nuk i mbaj mend të gjithë anëtarët e këtij komisioni të shëmtuar, por dy fytyra i mbaj mend. Ishte fytyra e Enkelejd Alibeajt dhe e Eduard Halimit.

Më pas, ai bëri njoftimin se në krye të demokratëve do të mbante (Vini re emërtimin!) një miting të paqes, 100 metra larg vendit ku socialistët kishin njoftuar përpara tij mbajtjen e një tubimi tjetër, për të ngritur zërin kundër krimit të kryer në datën 21 janar.

Pas kësaj, ai bëri edhe dy gjeste të tjera të cilat unë i kam përmendur edhe më parë e do t’i përmend edhe në të ardhshmen, sepse janë dy ngjarje të cilat janë të rënda. Në një prej tyre, ai iu drejtua kamerës televizive në Parlament duke i thënë liderit të opozitës Edi Rama: “Nëse ti provon edhe një herë të bësh një manifestim të ngjashëm me atë të datës 21 janar, dije se unë vet, personalisht, do të të ndëshkoj si një horr.” Disa vite më vonë, në një studio televizive, ai përsëriti të njëjtën gjë, saktësoi të njëjtën gjë. Pohoi se kishte bërë krimin (dhe ky ishte një pohim i fortë), dhe tha se: “Sikur ai manifestim i dytë të bëhej, dhe sikur gardistët të mos i bindeshin urdhrit tim, do të isha unë, personalisht, që do të tërhiqja këmbëzën.”, etj., etj.

Krimet e këtij njeriu nuk kanë të sosur, dhe demokratët duan prova!!! Hej, demokratë të dashur, thirrini mendjes, thirrini trurit, hapni sytë! Të kërkosh prova që Sali Berisha është i korruptuar dhe se ai ka minuar demokracinë shqiptare është njësoj si të kërkosh prova se Liria është bashkëshortja e tij.

- Reklama -

Më shumë nga kategoria




Të fundit

Uells-Zvicër/ Pjesa e parë pa gola, portierët vendimtarë me pritjet e tyre

Ka përfunduar me rrjeta të paprekura, pjesa e parë e ndjeshjes midis Zvicrës dhe Uellsit. Një 45 minutësh ku spektakël dhuruan portierët e skuadrave...

Vrasja e 20-vjeçares në Greqi, zbulohet makina me të cilën janë larguar autorët

Zbardhen detaje të reja në lidhje me vrasjen e 20-vjeçare britanike Caroline, e ndodhur pak javë më parë në Greqi. Në emisionin e gazetarit grek...

Fati i kryetarit të PD-së, 3 kandidatët që do të sfidojnë Lulzim Bashën

Nga: Marsela Sinani Lulzim Basha 47 vjeç, Fatbardh Kadilli 55 vjeç, Edith Harxhi 48 vjeçe dhe Agron Shehaj 44 vjeç, aderojnë në të njëjtën parti,...

Salianji: Gruevski si Rama mori mandat të tretë, por ra brenda një viti

Deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike, Ervin Salianji ka bërë një paralelizëm të situatës aktuale politike në Shqipëri, të asaj para disa viteve në...

Kosovë: Një viktimë dhe 17 raste të reja me Covid-19

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK) ka regjistruar më 12 qershor një rast të vdekjes nga koronavirusi. Viktima është nga Prizreni. Sipas njoftimit...