Kandidati për Kryeministër i koalicionit PAN në Kosovën Ramush Haradinaj deklaroi se bisedimet me Serbinë do të bëhen me një kusht të vetëm; njohjen e pavarësisë nga ana e Beogradit.
Haradinaj foli në “Top Story” në cilësinë e kryeministrit të mundshëm të Kosovës, ku ndër të tjera veçoi marrëdhëniet me Serbinë.
“Dialogu me Serbinë është vendosur në korniza të gabuara, pasi diskutohet për çështje të brendshme të Kosovës. Jam i interesuar për dialog me Serbinë, por për njohje reciproke. Ne nuk pranojmë të bisedojmë për tema të brendshme të Kosovës. Nëse Serbia nuk rishqyrton vendimin e vet për njohjen, ne nuk vrapojmë pas një dialogu që flet për tema të brendshme të Kosovës. Ne jemi vend i pavarur, kemi Kushtetutë dhe nuk kemi të drejtë që të vendosim në pikëpyetje ekzistencën e vendit. Dialog për njohjen reciproke, marrëdhëniet dypalëshe, por jo për çështje të brendshme të Kosovës”, u shpreh Haradinaj.
Haradinaj siguroi gjithashtu formimin e ushtrisë por tha që do të ndodhë në kohën e duhur dhe në koordinim të plotë me partnerët ndërkombëtarë. Ai shprehu bindjen se deputetët serbë të dalë nga zgjedhjet e fundit, nuk do të kundërshtojnë formimin e ushtrisë së Kosovës.
“Ata janë qytetarë të Kosovës dhe e respektojmë zgjedhjen e qytetarëve të Kosovës. Ajo që ka rëndësi është që agjenda e Kosovës nuk do të mbahet peng nga askush, as nga Beogradi. Do të punojmë me komunitetet, por jo që vendi të bëhet peng i votës penguese. Serbët nuk janë kundër ushtrisë. Ka një këmbëngulje nga Beogradi, por ne nuk na intereson se çfarë mendon Beogradi për këtë temë”, deklaroi ai.