Dyert e blinduara që u vendosën më datë 6 janar, po hiqen nga ambientet e PD-së. Dyert e hekurit u vendosën dy ditë para protestës së 8 Janarit, të njoftuar nga Sali Berisha, i cili tentoi të marrë godinën me mbështetësit e tij.
Blindimi i PD-së me dyer çeliku ishte temë diskutimi gjatë mbledhjes së Kryesisë, ku një pjesë e deputetëve kërkuan fillimisht heqjen e dyerve të blinduara, me qëllim dhënien e një mesazhi pozitiv për ribashkimin e partisë.
“Zhveshja e selisë së Partisë Demokratike nga fortifikimet dhe dyert e blinduara, është hapi i parë drejt bashkimit të partisë”.
Kështu mësohet të jetë shprehur deputeti demokrat Helidon Bushati, në mbledhjen e parë të kryesisë pa ish-kryetarin Lulzim Basha.
“Jemi këtu për të mirën e PD. Ne që jemi këtu dhe ata që nuk janë, por shpresoj të jenë. Bashkimi është kryefjala e retorikes dhe e vlerësimit tonë politik. Duhen akte konkrete për këtë. Debat konstruktiv që objektiv të jetë bashkimi, pa përjashtuar asnjë. Gjesti i parë do të ishte heqja e dyerve të blinduara. Nuk e kam unë vetëm këtë mendim. Duhet të kthehemi në normalitet. Pa hyre ishte mirë apo keq, duhet të hiqen. Hap i pare për bashkimin. Vetëm të bashkuar mund të jemi konkurrues në zgjedhjet e ardhshme, lokalet janë më të afërta”, mësohet të ketë thënë Bushati.