Ish-deputeti dhe ish-kryetari i Partisë Demokratike në Tropojë, Azgan Haklaj, ka lëshuar një deklaratë të fortë, ku ka thënë se figura të rëndësishme të kësaj force politike, kanë qenë bashkëpunëtorë të ish-Sigurimit të Shtetit. Në një intervistë për “Euronews Albania”, Haklaj u shpreh se kryedemokrati Sali Berisha, duhet të ishte i pranishëm në sallën e Parlamentit për të votuar ligjin për hapjen e dosjeve. Sipas tij, PD-ja është e ndarë politikisht, juridikisht sepse është në gjykatë, moralisht, filozofikisht dhe në ideologji. Dhe se ndarja e fundit, ideologjikisht, ndodhi në Kuvend, në votimin për hapjen e dosjeve të qytetarëve.
“Sot Partia Demokratike është e ndarë, politikisht, juridikisht sepse është në gjykatë, moralisht, filozofikisht dhe në ideologji. Ndarja e fundit, ideologjikisht, ndodhi në Parlamentin e Shqipërisë, në votimin për hapjen e plotë të dosjeve të qytetarëve.
Nata e së enjtes në Parlament, ishte një ekuinoks politik, tashmë do të ndriçohet se çfarë ka ndodhur edhe gjatë kohës së diktaturës dhe pasojet në neo-diktaturë.
Efektet e para po i shohim që tani, po publikohen figura të rëndësishme të politikës shqiptare, të Lëvizjes Studentore të Dhjetorit, të PD-së, disa figura të rëndësishme po dalin bashkëpunëtore të Sigurimit të Shtetit. Për shembull, Genc Ruli. Mediatikisht, njerëzit po flasin”, theksoi ai.
Kuvendi i Shqipërisë miratoi me 94 vota ligjin për Dosjet e Sigurimit të Shtetit.
Mazhoranca dhe opozita kanë bashkuar votat për të miratuar disa amendamente në ligjin e dosjeve të Sigurimit të Shtetit, ku bëhet e mundur hapja e të gjitha dosjeve nga viti 1944 deri në 1991.
Në të njëjtën kohë, sipas këtyre amendamenteve, kandidatët për poste të larta drejtuese duhet të kalojnë sërish në sitën e Autoritetit të Dosjeve, pavarësisht se më parë mund të kenë marrë një certifikatë pastërtie nga dy komisionet “Mezini” dhe “Bezhani”.