Hajdari: Elbasani qarku më i varfër, qytetarët do ndëshkojnë politikën e vjetër

Elbasani është një nga qarqet ku beteja për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit do të jetë shumë e fortë midis forcave kryesore politike.

Për deputeten Rudina Hajdari, e cila kandidon në këtë qark, Elbasani është pushtuar nga bandat, të cilët kanë krijuar një pushtet të tmerrshëm.

E ftuar në emisionin Frontline, Hajdari theksoi se këta banda janë të lidhura me politikën e vjetër.

Ndër të tjera, ajo u shpreh se Elbasani sot është qarku më i varfër, duke shtuar se qytetarët do të ndëshkojnë më 25 prill, politikën e vjetër.

Rudina Hajdari: “Ligji nuk lejon tubime, për shkak të Covid. Partitë që do të bëjnë tubime të mëdha në kohë koronavirusi, tregon se dalin mbi ligjin, është shembull i shëmtuar i politikës së vjetër. Kam garuar në Elbasan, sepse gjysma e origjinës sime është nga Elbasani. Elbasani po shpopullohet, qytetet po plaken, shkollat janë mbyllur. Papunësia është shumë e lartë.

Bandat kanë krijuar pushtet të tmerrshëm, ndaj duhet të bëjmë luftë pa kompromis ndaj këtyre banditëve. Të gjithë në Elbasan e dinë se bandat janë aty dhe mbështeten nga partitë, duke shpërndarë drogë. Ne si Nisma Thurje kemi listat e plota për këtë qark. Qytetarët do të ndëshkojnë politikën e vjetër. Ndonjëherë, stafi im ka përplasje në Elbasan, sepse fushata është e egër”.