E diel, 1 Gusht, 2021
40.5 C
Tirana

Guidë për hajdutët e politikës: si të fshihni paratë nga drejtësia amerikane 

Pra ju keni vjedhur një miliard dollarë. Kjo ishte pjesa e lehtë. Vendi, president i të cilit jeni, mund të jetë i varfër, gjë që është për të ardhur keq, por gjithashtu sundohet nga ligjet e xhunglës, dhe kjo krijon mundësi. Audituesit, policia dhe prokurorët, që duhet ta kishin goditur dorën që ju futët në thesar zgjodhën që ta puthin atë. Kështu që xhepat tuaj janë plot me plaçkë të vjedhur. Ekziston vetëm një pengesë: bota është bërë më pak tolerante ndaj kleptokratëve.

Në ditët e mira të Luftës së Ftohtë, diktatorët mund të ishin diktatorë. Kur Mobutu Sese Seko, diktatori i ndjerë, i asaj që tani është Republika Demokratike e Kongos, e çoi vendin e tij në gjendje kome duke vjedhur, askush nuk çau kokë. (Përveç subjekteve të tij, natyrisht.) Kur familja e tij thante 10,000 shishe shampanjë rozë në vit dhe Mobutu mbante një avion Concord në pistën e pallatit të tij tropikal, përkrahësit e tij perëndimorë e bënë një sy qorr, për aq kohë sa ai nuk ftoi Sovjetikët në Afrikën Qendrore.

Po kështu, Sovjetikët anashkaluan vjedhjen, po aq të egër, e klientëve të tyre në Angola. Dhe një kleptokrat asokohe nuk e kishte problem të gjente vend për të parkuar megamilionët e tij. Bankierët zviceranë rreshtoheshin për t’i ofruar kasaforta të bollshme. Agjentët e pasurive imobiliare në Côte d’Azur i shtronin tapet me fije ari.

Sidoqoftë, kohët e fundit, qeveritë perëndimore kanë konfiskuar pasuritë e plaçkitura dhe kanë ndjekur penalisht ata që janë përfshirë në korrupsion përtej kufijve të tyre. Këtë vit Departamenti Amerikan i Drejtësisë paditi një ish-ministër të Financave të Mozambikut dhe fitoi kundër disa ish-bankierëve të Credit Suisse për përvetësimin e 2 miliard dollarëve në kredi. Ish kryeministri i Malajzisë, Najib Razak, humbi punën dhe lirinë pasi Amerika zbuloi se ai kishte 700 milion dollarë në llogari bankare personale.

Prokurorët amerikanë janë ende duke ndjekur të dyshuarin si pastrues i parave të tij. Muajin e kaluar autoritetet zvicerane shitën në ankand makina sportive me vlerë 27 milion dollarë të sekuestruar nga Teodorin Nguema Obiang, djali pallogaritshëm i pasur i presidentit të Guinesë Ekuatoriale, një diktaturë e vogël e pasur me naftë. Nuk ishte përplasja e tij e parë me agjencitë e huaja ligjzbatuese. Në vitin 2014, ai duhej të dorëzonte asete me vlerë 30 milion dollarë pasi Departamenti Amerikan i Drejtësisë tha që ai i kishte hyrë një shoppingu frenetik me para korrupsioni. Kudo, sundimtarët hajdutë dhe pasardhësit e tyre duhet të ndihen nervozë.

Kështu, ja disa hapa që mund të ndërmerrni për të mbrojtur plaçkitjet. Së pari, qëndroni larg mediave sociale. Z. Obiang (i riu) pozonte në Instagram në makina të shtrenjta dhe avionë privatë. Kjo mund t’u ketë bërë përshtypje miqve të tij, por gjithashtu çoi pyetje të pakëndshme se si ai mund të përballonte lodra të tilla ekstravagante.

Së dyti, shmangni blerjet, aq të dukshme sa të kapin titujt e lajmeve. Kolawole Akanni Aluko, një biznesmen nigerian i akuzuar për ryshfet, jo vetëm që harxhoi 80 milion dollarë në një superjaht – gjithashtu raportohet se ia dha me qira Jay-Z dhe Beyoncé për 900,000 dollarë në javë. Këta këngëtarë (të pafaj) tërheqin një vëmendje të caktuar. Z. Aluko mund të kishte shmangur një kontroll të padëshirueshëm nëse do të kishte blerë një varkë më pak bombastike.

Së treti, mbani afër një fond emergjence. I ndjeri Robert Mugabe, i cili keqeverisi Zimbabvenë për tri dekada, gjithnjë udhëtonte me një valixhe me “para të grushtit të shtetit”, në rast se ai rrëzohej nga pushteti ndërsa ishte jashtë vendit. Kini parasysh se grumbujt e parave duan kujdes. Një ish-sundimtar i Guinesë Ekuatoriale, Francisco Macías Nguema, mbajti një pjesë të madhe të rezervave në monedhe të huaj të të vendit në një kasolle bambuje në kopshtin e tij. Ai harroi ta bëntë kasollen të papërshkueshme nga shiu, mjerisht, dhe shumë prej parave u kalbën.

Një mënyrë për të mbrojtur pasuritë e zhvendosura jashtë është të pretendosh se ato i përkasin shtetit. Z. Obiang (i riu) e ndaloi Francën të shiste shtëpinë e tij në Paris duke insistuar se ishte në pronësi të ambasadës së vendit të tij. Avokatët e tij thonë gjithashtu se një superjaht 100 milion dollarësh i kapur nga Hollanda ishte anije e flotës detare. Prokurorët janë pafjalë para faktit se cilit qëllimi ushtarak mund t’i shërbejë xhakuzi në kuvertën e sipërme.

Një mënyrë tjetër për të shmangur dallimin midis pronës publike dhe asaj personale është të jesh monarkik. Mswati III, monarku absolut i Eswatini (dikur Suaziland) jeton si një mbret – dhe është e ligjshme. Monarkët e Gjirit thuhet se ishin midis ofertuesve për makinat e Z. Obiang.

Një mendim i fundit. Po sikur të qeverisnit me ndershmëri? Kjo nuk është aq e çmendur sa tingëllon. Mo Ibrahim, manjati i telekomit Sudanezo-Britanik, ka caktuar një çmim prej 5 milion dollarësh çdo vit për një president afrikan që qeveris mirë dhe del në pensionon kur i mbaron mandati. Mund të jetosh mjaft mirë me 5 milion dollarë. Megjithatë për 7 nga 12 vite që nga fillimi i çmimit Ibrahim, ende nuk është identifikuar asnjë fitues i denjë.

*Marrë nga The Economist. Përkthimi: Politiko.al

- Reklama -

Më shumë nga kategoria




Të fundit

SHBA sanksionon më shumë zyrtarë kubanë për shtypjen e protestave

Administrata e Presidentit Biden ka vendosur sanksione ndaj forcave policore të Kubës dhe dy udhëheqësve të saj pas protestave të fundit në vendin ishull...

Maqedonia e Veriut mund të rekomandojë dozën e tretë të vaksinës

Maqedonia e Veriut nuk e përjashton mundësinë e aplikimit të dozës së tretë të vaksinës kundër koronavirusit pasi, siç tha ministri i Shëndetësisë, Venko...

Izraeli akuzon Iranin për sulmin vdekjeprurës në cisternat e naftës

Izraeli ka akuzuar Iranin se qëndron pas një sulmi ndaj një cisternë nafte në të cilën u vranë dy anëtarë të ekuipazhit, një shtetas...

Pranoi plagjiaturën, bie popullariteti i kandidatit për kancelar në Gjermani

Kandidati potencial për të zvendësuar Kancelaren Angela Merkel, në Gjermani Armin Laschet ka kërkuar falje pasi ka përdorur plagjaturë në librin e tij. Laschet, në...

Manaj i pafat, portieri i Shtutgartit i mohon golin e radhës me Barçën (Video)

Rei Manaj e nisi nga stoli miqësoren e sotme që Barcelona luajti në Gjermani kundër rivalëve të Shtutgartit. Sulmuesi shqiptar u aktivizuar vetëm në minutën...