Kuvendi i Maqedonisë në ditët në vazhdim do duhet të diskutojë për heqjen e mandatit të deputetit ish kryeministrit Nikolla Gruevski. Kryetari i kuvendit, Talat Xhaferi, deri tek kryetari i Komisionit për Mandate dhe Imunitete, ka dorëzuar kërkesën e dërguar nga gjykata për heqjen e mandatit të Gruevski për shkak se ai duhet të vuaj dënimin prej dy viteve me burg për rastin “Tanku” të PSP-së.
Kryetari i Komisionit Pavle Bogoevski për MIA ka konfirmuar se kërkesa është dorëzuar tek ai dhe se e njëjta do të shqyrtohet në afat prej 15 ditëve. Ai nuk ka dashur të precizojë se kur do të caktojë sakt seancën, por vetëm ka theksuar se afatet do të respektohen.
Nëse kërkesa për heqjen e imunitetit kalon në Komisionin për Mandate dhe Imunitete, Kuvendi duhet të diskutojë për të në seancën e parë të radhës.
Vendimi për marrjen e mandatit të deputetit sipas Nenit 65 të Kushtetutës, merret me shumicë prej dy të tretave nga numri i përgjithshëm i deputetëve.
Ish kryeministri Nikolla Gruevski më së voni deri më 8 nëntor duhet të paraqitet në burg për të vuajtur dënimin prej dy viteve.
Gjykata e Apelit në Shkup më datën pesë të këtij muaji e ka refuzuar kërkesën e Gruevskit për lëndën “Tanku”, dhe ka konfirmuar vendimin e shkallës së parë.
Gjykata Penale më 23 maj të këtij viti për furnizimin me “Mercedesin” luksoz me vlerë prej 600 mijë euro ka dënuar të akuzuarin e parë Gjoko Popovski me gjashtë vite e gjysmë burg, ndërsa i akuzuari i dytë Nikolla Gruevski si nxitës i kryerjes së veprës u dënua me dy vite burg, transmeton shenja.
Në lëndën “Tanku”, është dënuar edhe ish ministrja e Punëve të Brendshme Gordana Jankullovska me gjashtë vjet burg.