Bosnjë-Hercegovina ka ndalur përkohësisht importet e mishit të derrit dhe nënprodukteve të tij nga Serbia, kjo si pasojë e rasteve të gripit afrikan që janë zbuluar në rajon.
Qindra mijëra derra të butë janë vrarë në Bullgari dhe Rumani për shkak të përhapjes së sëmundjes ngjitëse.
Sipas Ministrisë serbe të Bujqësisë, të konfirmuara edhe nga Organizata Botërore për Shëndetin e Kafshëve, shenja të epidemisë janë raportuar në katër ferma të vogla të kryeqytetit dhe në rrethin e Podunavskit.
Autoritetet në Serbi dhe Kroaci druhen se të prekur nga sëmundja ngjitëse janë edhe derrat e egër, ndaj dhe kanë kërkuar që të ndalet gjuetia e tyre.
Vrasja e kafshëve të prekura nga ky virus është e vetmja mënyrë për të ndalur përhapjen e infeksionit pasi gripi afrikan i derrave mbetet një sëmundje vdekjeprurëse e pakurueshme, për të cilën nuk ekziston një vaksinë.
Sipas mediave të huaja, vetëm gjatë muajt korrik, në Rumani janë therur mbi 50 mijë derra të infektuar në fermat industriale, mbi 9,000 raste janë zbuluar në Poloni dhe Sllovaki, ndërsa Bullgaria parashikon të vrasë rreth 126 mijë derra të sëmurë.
Gripi afrikan i derrave nisi të përhapej që prej vitit 2014, në Rusi, ndaj edhe vendet lindore më afër saj, janë më të rrezikuara nga ekspozimi ndaj kësaj sëmundjeje.
Fatmirësisht edhe pse ky grip ngjitës është vdekjeprurës, ai nuk transmetohet te njerëzit.