Deputetja e Partisë Demokratike, Grida Duma ka kritikuar ashër kryetarin Lulzim Basha. E ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, Duma tha se në PD duhen menaxhuar më së miri njerëzit e aftë sepse deri tani janë lënë në stol. Duma tha se është koha për një sistem me rregulla loje, duke nënkuptuar se në PD jo të gjitha gjërat shkojnë në bazë të rregullave. Deputetja demokrate thotë se PD-ja duhet të prodhojë trashëgimi, jo të krijojë një staf të përkohshëm.
“Di të them që duhet të menaxhojmë më së miri njerëzit e aftë, dhe duhet t’u gjesh njerëzve të duhur vendin e duhur. Kemi kapacitete të jashtëzakonshme. Nuk jemi aspak opozitë e dobët. Kemi mendimtarë që duket sikur qëndrojnë në stolat e tyre të mendimit, por që janë qasur e kanë mbështetur PD-në në momentet më kritike. Ne duhet të prodhojmë trashëgimi, jo të krijojmë një staf të përkohshëm,” deklaroi Duma.
Deputetja e djathtë foli edhe për marrëdhënien me LSI-në, duke theksuar se për largimin e të keqes së madhe, qeverisë Rama, duhet të bashkohen të gjithë.
“Së pari sot duhet një opozitë që duhet thirrur çdo individ e jo më forcë politike se është në rrezik demokracia në Shqipëria. Kjo nuk është platformë qeverisëse, s’duhet menduar kështu. Duhet të bëhemi bashkë për të përballuar këtë të keqe të madhe. Pas kësaj, çështja e koalicioneve për sa i përket logjikës time, për cilëndo forcë duhet t’i quajmë aksionarë në vendimmarrje“, tha Duma.