Greqia nis një garë armatimesh për t’iu kundërvënë Turqisë

Nga: Pierre Haski “Internazionale”

Në sallën e madhe të Ministrisë greke të Mbrojtjes në Athinë, ku u nënshkrua më 25 janar një kontratë për blerjen e avionëve luftarakë francezë“Rafale”, një afresk i madh tregon Aleksandrin e Madh mbi kalë duke luftuar armikun persian.

Sot, kundërshtari i Greqisë nuk është Persia por Turqia. Dhe duke menduar mbi aktivizmin gjeopolitik të Ankarasë, Greqia ka filluar tashmë një program ambicioz të blerjes së armëve.

Ministrja franceze e Mbrojtjes, Florens Parli ishte vetë në Athinë për të nënshkruar kontratën për blerjen e 18 avionëve“Rafale” (6 të rinj dhe 12 të përdorur nga Forca Ajrore Franceze) për një shumë totale prej 2.5 miliardë eurosh.

Një tender për marinën greke do të zhvillohet së shpejti, dhe Franca do të përgjigjet sërish në emër të një afrimi strategjik gjithnjë e më të paralajmëruar me Greqinë. Shpenzimet e këtij lloji, në mesin e pandemisë së Covid-19, dhe në një kontekst të karakterizuar nga vështirësitë e mëdha ekonomike të shkaktuara nga ngërçi në sektorin e turizmit, mund të shkaktojnë një debat të fortë në Greqi, një vend që ende po përpiqet të dalë nga morsa e masave financiare shtërnguese.

Ndërkohë, më 14 janar parlamenti grek votoi masivisht pro autorizimit për të blerë avionët“Rafale”, me votat kundër vetëm të komunistëve dhe të së majtës radikale. Shifra totale e këtij transaksioni është e barabartë me gjysmën e buxhetit grek të mbrojtjes.

Aktivizmi ushtarak dhe energjetik

Ajo që po e provokon konsensusin në Athinë është Turqia. Marrëdhëniet me Ankaranë janë tema kryesore politike në Greqi, dhe aktivizmi ushtarak i presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan, nga Libia në Karabak, po ndiqet me shumë vëmendje.

Por manovrat provokuese të Turqisë në Mesdheun Lindor, me dërgimin e anijeve të saj për të eksploruar fushat e gazit në ujërat e pretenduara nga Qiproja dhe Greqia, po shkaktojnë një shqetësim shumë të madh. Kontrata për blerjen e avionëve luftarakë francez, u negociua brenda pak muajsh, ndërsa avionët e parë do të dorëzohen deri në fund të këtij viti.

Lexo edhe :   Turqi / Futbollistët ndërpresin ndeshjen dhe hanë iftar në fushë

Pra, me shpejtësi. Synimi i qeverisë greke, është të rindërtojë një forcë parandaluese përballë një Turqie që ka një popullsi 8 herë më të madhe. Avionët “Rafale” dhe raketat e tij me rreze të gjatë “Meteor” ajër-ajër janë një mjet shumë i dukshëm për t`a bërë këtë, bashkë me mbështetjen aktive të Francës.

Franca është e kënaqur me evolucionin e pozicionit turk, dhe pret gjeste konkrete sidomos në Libi

Në mënyrë shumë domethënëse, nënshkrimi i kësaj kontrate emblematike për ri-balancimin e ekuilibrit të fuqive,ndodhi në të njëjtën ditë me takimin e parë pas 5 vitesh midis Athinës dhe Ankarasë, për të diskutuar mosmarrëveshjen në Detin Egje.

Turqia ka ndryshuar tonin e saj në lidhje me Bashkimin Evropian, siç e kemi vërejtur qënë fillim të këtij viti, duke nënvizuar deklaratat me tone paqësore të presidentit Erdogan. Që atëherë, njeriu që e këshilloi Emanuel Makron të vizitohej tek një psikiatër, ka pasur një korrespondencë të rregullt me homologun e tij francez, dhe e ka dërguar Ministrin e tij të Jashtëm në një tur diplomatik në Evropë.

Florens Parli është e kënaqur me këtë evolucion të Ankarasë dhe pret gjeste konkrete, veçanërisht në Libi, ku një marrëveshje armëpushimi parashikon tërheqjen e forcave të huaja, përfshirë ato turke dhe të luftëtarëve sirianë që ata çuan në Libi.

Duket se ka ardhur koha për më pak tensione me Erdoganin, por ndoshta ende jo për një qasje relaksuese. Për Greqinë, konflikti shkon përtej peripecive aktuale, dhe i ka rrënjët thellë në histori, duke marrë një dimension ekzistencial. Blerja e avionëve “Rafale” dhe aleanca gjithnjë e më e fortë me Francën, veprojnë si një policë sigurimi për Athinën në një botë të pasigurt, dhe nën vështrimin gjithnjë vigjilent të Aleksandrit të Madh…

Burimi i lajmit: https://www.internazionale.it/opinione/pierre-haski/2021/01/26/grecia-armi-turchia

Përshtatur nga TIRANA TODAY