Pronat e vakëfit islam në ishullin grek Kos janë duke u shitur në mënyrë të paligjshme, deklaroi kreu i Shoqatës për Kulturë dhe Solidaritet të Turqve të Rodosit, Kosit dhe Dodekanesit, Mustafa Kaymakçı.
Sipas një njoftimi zyrtar, një parcelë tokësore prej 34.000 metrash katrorë që i përket vakëfit, do të shitet më vonë këtë muaj në një ankand.
Kaymakçı thotë se një tokë e madhe në Kos do të shitet në ankand më 31 janar.
“Në Kos, në mënyrë të paligjshme do të shitet tokë e vakëfit”, thotë Kaymakçı, sipas të cilit ka disa parime ndërkombëtare në lidhje me këtë çështje, të cilat njihen edhe nga Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB).
“Sipas këtyre parimeve, asetet e vakëfit nuk guxojnë të transferohen ose të shiten, megjithatë, Greqia nuk u nënshtrohet tyre”, shtoi më tej Kaymakçı.
Siç rrëfen ai, kushtetuta e Greqisë parasheh që fondacionet fetare të përjashtohen nga tatimi në pronë, për çka grupet e krishtera në Greqi nuk paguajnë tatimin në pronë, e cila, megjithatë, u kërkohet fondacioneve turko-islame.
“Asetet e vakëfit nuk mund të shiten apo transferohen. Kjo është porosia jonë për Greqinë”, thotë Kaymakçı, i cili kërkoi që muslimanët të trajtohen në mënyrë të barabartë me të krishterët.
– Xhamitë historike në Rodos dhe Kos janë shndërruar në gërmadha
Kaymakçı thotë se Rodos dhe Kos, dy ishuj që dikur ishin nën administrimin e Shtetit Osman, kanë një trashëgimi mbresëlënëse të arkitekturës osmane.
“Kjo trashëgimi që përfshin xhami, shatërvane, strehimore për të varfërit dhe një bibliotekë, me kalimin e kohës u la pas dore dhe u shkatërrua”, tha ai, duke sqaruar se xhamitë në Rodos dhe Kos janë sjellur në një stad afër shembjes.
Ndonëse Turqia dëshiron të restaurojë këtë trashëgimi të paçmueshme, Greqia e ndalon atë.
Kaymakçı rrëfeu për aktivitetet e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) për restaurimet në Ballkan të projekteve nga periudha osmane, gjë të cilën Greqia nuk e ka lejuar asnjëherë.
“Greqia dëshiron t’i shohë të shembura xhamitë dhe strehimoret për të varfër. Kjo do të thotë se dëshiron të zhduken gjurmët e turqve dhe muslimanëve”, tha ai, duke shtuar se krahas kësaj, turqit që jetojnë atje janë të privuar nga mësimi në gjuhën turke, duke e synuar asimilimin e tyre.
“Njëra nga të drejtat themelore të njeriut është e drejta për të mësuar gjuhën amtare, por në ishujt grekë, kjo e drejtë themelore është e ndaluar”, përfundoi ai.