Superylli shqiptar i futbollit, Granit Xhaka, duket se është një adhurues i madh i luksit. Veshjet luksoze dhe aksesorë në vlera stratosferike e shoqërojnë atë në çdo moment. Pas yjeve të muzikës, janë edhe ato të futbollit që nuk ngelen pas në këtë aspekt, e ndoshta janë më të sofistikuar.
Është Granit Xhaka ai që së fundmi është parë me një orë Rolex të realizuar vetëm për të prej 18 karat ari të llojit Submariner me diamantë të bardhë e të zi. Vlera e kësaj ore e tejkalon shumën prej 30 mijë euro.
Në një nga këngët e një prej reperëve shqiptar duke përshkuar luksin citon teksti: “I vjen marre dorës, kur ma sheh vlerën e orës”, por ky nuk është rasti te Graniti.
Dora e tij nuk ka pse të turpërohet nga ora luksoze pasi edhe unaza e tij Bulgari është super luksoze me diamant “rose gold” speciale të vendosur sipas dëshirave të futbollistit. Vlera e kësaj unaze është rreth 10 mijë euro.
Granit Xhaka njihet për stilin e tij të shtrenjtë të jetës, kurse kjo nuk është befasi pasi ai është një prej lojtarëve më të paguar të Arsenalit. Xhaka fiton rreth 90 mijë paund në jave te klubi londinez dhe luksi i tillë në trupin e tij nuk duhet të na befasojë.