Pas atentatit ndaj kryebashkiakut të Lushnjes, Fatos Tushe, një reagim është përcjellë nga opozita. Aleati i Bashës, Agron Duka, me anë të një komenti në Facebook shkruan se përdorimi i lëndëve luftarake si granata, mbetet prova më e fortë e dështimit të Shtetit.
Kreu i Partisë Agrare Ambientaliste ka apeluar ndaj drejtësisë, për një hetim dhe ndëshkim shembullor të ekzekutorëve.
Nga informacionet e marra dyshohet se ish shoferi G. Saraçi ka hyrë në zyrën e kryebashkiakut. Sekretarja ka dëgjuar që midis tyre ka nisur një debat me tone të larta dhe ka hapur derën.
Në këtë moment, Saraçi ka hedhur granatën dhe është larguar nga zyra. Pas shpërthimit, sekretarja ka marrë plagë në dorë, në fytyrë e në këmbë.
Atentati ndaj kryebashkiakut të Lushnjes / Policia: Autori në kërkim
Statusi
Atentati ndaj kreut të Bashkisë së Lushnjes, në këtë kapërcyell vitesh, na kujton edhe njëherë situatën reale në të cilën ndodhet vendi. Paçka se rrethanat e ngjarjes mbeten për t’u sqaruar, guximi i krimit për të mësyrë në zyrat e Bashkisë, përdorimi i lëndëve luftarake si granata, mbetet prova më e fortë e dështimit të Shtetit.
Një produkt i qartë i simbiozës së politikës me krimin, që në disa qytete të vendit është autoriteti i vetëm që kontrollon territorin.
Nuk ka përgjigje të lehta për zgjidhjen e kësaj nyje që prej vitesh po mbyt shoqërinë tonë, megjithatë ndëshkimi i modeleve të propozuara nga Rilindja dhe të denoncuara nga Opozita dhe mediat, vendase dhe të huaja, mund të jetë fillimi i fundit.
Duke uruar shërim sa më të shpejtë të të plagosurve, bëj apel për një hetim dhe ndëshkim shembullor të ekzekutorëve nga ana e institucioneve të reja të drejtësisë.