Grabitja e ndodhur sot në Rinas ka qenë e mirëmenduar dhe mund të quhet padyshim spektakolare.
Katër autorët kanë thyer derën e rrethimit që përdoret nga shërbimet zjarrfikëse, duke arritur të hyjnë në brenda avionit, aty ku ka ndodhur edhe grabitja, pikërisht në linjën Tiranë-Vjenë, ku ka pasur edhe pasagjerë të cilët janë habitur nga ajo që po ndodhte.
Pasagjerët kanë thënë se kanë parë personat të veshur me rroba si Komando të afroheshin tek barku i avionit dhe kanë kërcënuar punonjësit.
“Avioni ishte i ndezur dhe pamë nga ana e djathtë e avionit tre persona me kapuçë në kokë, të veshur si komando të afroheshin tek barku i avionit. Kujtuam se bëhej fjalë për një stërvitje. Ata kanë kërcënuar me kallashnikov punonjësit dhe i urdhëruan të shtrihen”, kanë thënë pasagjerët.
Më pas autorët kanë marrë paratë në barkun e avionit dhe janë larguar fillimisht më këmbë e më pas me një furgon.
Grabitësit kanë qenë të veshur me rroba ushtarake dhe kanë qenë të armatosur. Gjatë ndjekjes në një rrugë dytësore, autorët kanë shkëmbyer zjarr me Policinë. Madje, ata kanë hedhur granata drejt Policisë, kur kjo e fundit ka ndërhyrë.
Policia është përgjigjur me të shtëna, duke lënë të vdekur një nga grabitësit. Shuma e marrë nuk është ajo që u raportua në fillim, por shumë më e madhe, teksa janë grabitur plot 10 milion euro, të cilat i përkisnin 4 bankave të nivelit të dytë.
Forcat e FNSH dhe ato të Policisë Kufitare të Rinasit janë vënë në ndjekje të tre grabitësve të tjerë që kanë arritur të largohen me paratë. Trupi i grabitësit të vrarë po transportohet drejt morgut. Mësohet se fluturimi nga Tirana drejt Vienës është anuluar si pasojë e grabitjes.
Në vendngjarje ndodhet kreu i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu dhe dy prokurorë të Krimeve të Rënda, Kreshnk Ajazi dhe Ndini Tavani.