Grabitja e mbi 3 mln dollarëve në Rinas, lirohet njëri prej të penduarve

Gjykata e Apelit të Posaçëm, vendosi të lirojë një nga të penduarit e dosjes së grabitjes së blindave me para në Rinas.

Admir Çerpja, i dënuar me 5 vite e 8 muaj burg në vitin 2019, u la i lirë nga gjykata. Ai u arrestua në vitin 2017 si i përfshirë në këtë ngjarje.

Ai përfitoi ulje të dënimit për shkak të ndihmës që dha me dëshminë e tij në zbardhjen e ngjarjeve. Me vendimin e Shkallës së Parë që e ka dënuar me 5 vite e tetë muaj burg, afati i ka mbaruar dhe Apeli sot e nxjerr prej burgu se nuk mund ta mbaj dot më shumë.

Në vijim, kur gjyqi të zhbllokohet në Apel, do të ketë vendim të formës së prerë. Nëse Apeli do të japë të njëjtin vendim si Shkalla e Parë, atëherë Çerpja mbetet i lirë pasi e ka të shlyer dënimin.

Pak ditë më parë u lirua dhe Ditjon Memlikaj po në statusin e bashkëpunëtorit. Më 9 shkurt 2017 në aksin Tiranë-Rinas, u sulmuan makinat e blinduara të një banke të nivelit të dytë, ku dyshohet se u morën rreth 3.2 milionë dollarë.