Grabiti tre lokale në Has, kapet ‘skifteri’ 25-vjeçar

Policia e Hasit ka arrestuar një 25-vjeçar pasi akuzohet për vjedhje me thyrje të tre lokaleve në qytetin e Krumës. Në pranga është vënë shtetasi  K.Ll., banues në fshatin Kishaj.

Policia njofton se ky shtetas ka thyer xhamat e tre lokaleve në qytetin e Krumës, duke marrë një sasi lekësh dhe pije.

Nga tërësia e veprimeve hetimore, 25 vjeçari dyshohet se është edhe autor i vjedhjes së një lokali, po në qytetin e Krumës, ngjarje e ndodhur më datë 21 maj.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan sendet e vjedhura.

Materialet për veprime të mëtejshme i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprën  penale “Vjedhja”.