Një ndeshje që i dhuroi të gjitha, spektakël gola, ndërhyrje të ashpra, karton të verdhë dhe një përmbysje spektakolare. Është Manchester United që ka shkruar një faqe në histori me kë ndeshje të fituar në “Etihad” duke i shkaktuar ndeshjen e parë në shtëpi Manchester Cityt për këtë sezon.
Manchester City, që vinte nga disfata 3-0 kundër Liverpool në Champions League, pati fillimin e ëndërruar dhe shënoi dy herë në gjysmë orën e parë të lojës. Vincent Company dhe Ilkay Gundogan shënuan për City, që me rezultatin 2-0 mbylli pjesën e parë, rezultat që do ta shpallte kampion, gjashtë javë para fundit.
Manchester United nuk bëri asnjë goditje në kuadrat në pjesën e parë, por mrekullisht përmbysi gjithçka në 45 minutat e dytë.
Paul Pogba shënoi dy gola në harkun e 97 sekondave duke vendosur barazimin. Ai u bë futbollisti i parë i United që nga viti 2012 që shënon dy gola kundër City.
23 minuta e 34 sekonda iu deshën “djajve” për të kompletuar përmbysjen, e cila u firmos me golin e tretë të mbrojtësit Chris Smalling.
Në minutën e fundit të ndeshjes, City pati rastin më të mirë për të barazuar, por tentativa e Sterling u ndal në shtyllë.
Një fitore e madhe për ekipin e Mourinho, por që është 14 pikë larg Manchester City, gjashtë ndeshje para fundit. Titulli mbetet plotësisht në duart e City, por festa u shty, teksa United “blindon” vendin e dytë.