Futboll

Gola, grushta dhe një numër historik kartonash


               Publikuar në : 14:42 - 04/11/19 M P

Gola, grushta dhe një lumë kartonash. Një ndeshje futbolli për të cilën dhe boksierët do të ishin “xhelozë”. Një ndeshje ku një gjyqtar ka ndarë ‘shapin nga sheqeri’.

E tillë ka qenë ndeshje e Kategorisë Superiore U19 Apolonia-Besa, e cila ka nisur si një ndeshje futbolli dhe është mbyllur si një “sherr rruge”.

Një ndeshje që do të mbahet mend për gjithë gjërat e gabuara dhe një gjë të mirë. Ku futbollistët nuk kishin fuqi të shënonin gola, por ishin goxha të përgatitur për grushta. Përpos “sherrit” që nuk është fenomen i rrallë tashmë në futboll, ajo çka këtë ndeshje e bën të veçantë janë edhe numri historik i kartonave, 18 të tillë. 7 të kuq dhe 11 të verdhë.

Një ndeshje e vështirë për gjyqtarin kryesor, Dorjan Maletaj, të cilit përballë presionit të vazhdueshëm, siç ndodh në ndeshje të tilla, ka ruajtur profesionalizmin në maksimum, duke dënuar të gjitha aktet e dhunës.Duke vendosur një numër historik kartonësh, ajo çka bie në sy perveç profesionalizmit dhe qetësisë në trajtimin e ndeshjes është që ky gjyqtar i ri është munduar të vendosë një standard të ri. Të gjyqtarit dhe arbritrit që nuk trembet.

Shpesh herë shohim gjyqtarë që nën presionin e madh të situatave tremben, e padashje anojnë me gjykimet e tyre, çka ka rezultuar në situata dhune që objekti i sherrit të zhvendoset nga lojtarët te gjyqtarët.

Modeli i gjyqtarëve që nuk frikësohen as nga “grushtat” është modeli i gjyqtarëve që çdo sport ka nevojë. E në këtë pjesë, të gjithë sportdashës, federatë apo politikbërës duhet të japin kontributin e tyre, të forcojnë dhe mbështesin maksimalisht këtë model gjyqtarie. Sporti në vend (e jo vetëm futbolli) ka nevojë për gjyqtarë “made in Albania”, të patrembshëm, të cilët nuk kanë frikë ta përdorin fuqinë që kanë për të zotëruar fushën.

E përmbledhur me dy-tri fjalë, këtë ndeshje se fituan ekipet, por gjyqtari. E për këtë, besoj duhet të jemi të gjithë të kënaqur.

Kthehu
WhatsApp Denonco ne TT