Akuza e pedagogut Hasimja : Luljeta Bozo mori shtëpinë e të pushkatuarit

Kryesuesja e listës së Partisë Socialiste ka jetuar në shtëpinë e një të të pushkatuari si sabotator.
Denoncimi ka ardhur nga pedagogu dhe analisti Ermal Hasimja.
Bozo u rikthye në qendër të debatit publik pasi tha se “koha e diktaturës kishte më shumë të mira se të këqija”. Bozo është një nga të shumtët që ka shijuar pronën e “armiqve të klasës” dhe që në këto tridhjetë vite nuk ka kërkuar asnjë ndjesë për vrasjet dhe dehumanizmin e atij sistemi.
Ja postimi i plotë i Ermal Hasimja-s:
1946, një inxhinjer i ri 33 vjeçar, pushkatohet me plot të tjerë me grupin e “sabotatorëve të Maliqit”. Pak kohë më pas një çift komunistësh, vijnë për të inspektuar shtëpinë e të ndjerit dhe për të parë nëse iu pëlqente për ta marrë për vete. U pëlqen dhe e mbajnë për gati 50 vjet duke lënë familjen e inxhinjerit në rrugë.
2021, vajza e çiftit komunist, vetë ish-komuniste e ndoshta ende komuniste, deklaron në publik se komunizmi kishte më tepër të mira se të këqija. Unë e besoj plotësisht! Për njerëz të tillë, komunizmi kishte më tepër të mira: u dha shtëpitë e të pushkatuarve që ua nxorrën familjet në rrugë. Problemi është se këta njerëz, përpara se të pyeteshin për komunizmin duhet të jepnin llogari për atë që bënë për 50 vjet, duhet të shporreshin nga hapësira publike e të turpëroheshin publikisht. Siç ndodhi në Gjermani pas Nurenbergut e deri më sot. Kjo nuk ndodhi. Meqë nuk ndodhi tani nuk e kanë problem të bëjnë bilancin pozitiv të komunizmit. Turp, Shqipëri, e mjera Shqipëri!