Gjykata Kushtetuese nis procedurat pë zgjedhjen e kryetarit të ri

Pas bërjes funksionale, Gjykata Kushtetuese po përgatitet për të zgjedhur kryetarin e ri të saj.

Gjatë mbledhjes së sotme, gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese vendosën të fillojnë procesin e hartimit të rregullave procedurale administrative.

Deri në zgjedhjen e kryetarit të ri, ky pozicion do t’i ngarkohet Vitore Tushës, në cilësinë e gjyqtares më të vjetër në detyrë.

Njoftimi për mediat i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë:

Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, në mbledhjen e sotme të datës 7 janar 2021 vendosën si më poshtë vijon:

Të fillojnë procesin e hartimit të rregullave procedurale administrative në funksion të zgjedhjes së Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, bazuar në nenin 7/d të ligjit nr.8557/2000 (i ndryshuar);

Të ngarkojnë znj. Vitore Tusha, në cilësinë e gjyqtares më të vjetër në detyrë, për të vazhduar ushtrimin e kompetencave të Kryetarit deri në përfundimin e procesit të zgjedhjes së Kryetarit;

Të caktojnë përbërjen e 3 kolegjeve për vitin kalendarik 2021, në bazë të nenit 13, shkronja e) të ligjit nr. 8577/2000, i ndryshuar;

Të caktojnë kalendarin e çështjeve për shqyrtim në seancë plenare dhe në mbledhjen e gjyqtarëve, duke pasur parasysh jo vetëm rendin kronologjik të çështjeve të mbartura, por edhe natyrën dhe rëndësinë e tyre.