Gjykata Kushtetuese i dha një muaj kohë, reagon Albin Kurti

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar në lidhje pezullimin e dekretit të presidentit Hashim Thaçi, sa i takon qeverisë së re në Kosovë. Gjykata Kushtetuese ka vendosur që përkohësisht ta pezullojë vendimin e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, pasi dje, përmes një dekreti ka mandatuar Avdullah Hotin për kryeministër.

Njoftimi

“Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka dorëzuar sot në Gjykatën Kushtetuese përgjigjen në emër të Qeverisë në lidhje me kërkesën për vendosjen e masës së përkohshme ndaj dekretit të Presidentit Nr. 24/2020 të datës 30.04.2020.

Qeveria mbështeti kërkesën e deputetëve për vendosjen e masës së përkohshme dhe vlerësoi vendimin e Gjykatës për aprovimin e kërkesës së tyre për pezullimin e dekretit të Presidentit, sepse parashtruesit kanë dorëzuar një kërkesë e cila është prima facie e pranueshme si dhe është substancialisht e arsyetuar rreth pretendimeve përkitazi me dispozitat kushtetuese të saktësuara në kërkesë.

Qeveria konsideron që vendosja e masës së përkohshme është në interesin publik dhe gjithashtu i shërben administrimit të drejtësisë. Megjithatë është e nevojshme të kujtojmë që ky pezullim nuk e prejudikon vendimin përfundimtar të Gjykatës. Kështu që është tejet e rëndësishme që të mos entuziazmohemi, të rrimë të fokusuar në drejtim të qëllimit tonë për menaxhimin sa më të mirë të situatës me pandeminë COVID-19.

Bashkëngjitur gjeni përgjigjen e Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për vendosjen e masës së përkohshme ndaj dekretit të Presidentit Nr. 24/2020 të datës 30.04.2020”.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se do ta respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese. E cila ka pezulluar deri më 29 maj, dekretin e tij që i mundësonte kandidatit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hotit, të formonte Qeverinë e re të Kosovës.

Lexo edhe :   Rritet numri i viktimave nga koronavirusi në Kosovë, 599 raste të reja

“Sapo u njoftova për vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës. Si President i Republikës së Kosovës do ta respektoj në plotëni këtë vendim. Kosova ka tashmë një përvojë të çmueshme në respektimin e të gjitha vendimeve dhe aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese. Kjo përvojë është një dëshmi e fuqishme e sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës. Si President i Republikës së Kosovës i ftoj të gjithë politikanët dhe subjektet politike në vend, që të sillen me maturi në respektim të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”.