Tashmë janë zbardhur emrat e kabinetit të Qeverisë “Rama 3”. Etilda Gjonaj nuk do të jetë më në qeverinë “Rama 3”. Pas katër vitesh në krye të Ministrisë së Drejtësisë, Gjonaj është caktuar nga Rama si sekretare për rolin e gruas. Ajo tha se ka bërë punë sinjifikative në krye të dikasterit të Drejtësisë, dhe se beson se punët e nisura do të çohen para nga pasuesi i saj Ulsi Manja.
“Në 4 vite në krye të Drejtësisë, jam munduar të jap maksimumin tim dhe besoj se falë mbështetjes që kam marrë, kemi arritur rezultate sinjifikative që do të çohen para nga Ulsi Manja. Besoj se një ministre me një mandat të plotë është i mjaftueshëm, dhe besoj se kjo është një kohë e mjaftueshme në krye të dikasterit. Unë i uroj suksese Ulsi Manjës dhe kam bindjen se do të çojë para të gjitha projektet e nisura”.
Po kështu, Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, foli për herë të parë për mediat pas rikonfirmimit në detyrë nga kryeministri Edi Rama. Peleshi tha se nuk është i pazëvendësueshëm, ndaj edhe priste një emër tjetër në këtë post.
“Jam shumë i bindur që ajo ç’ka u parashtrua nga kryeministri, mbi nevojën e një rishikimi të gjithë organizatës sonë politike, mendësisë dhe kulturës, edhe pse jemi fitimtarë, është ajo që duhet të na motivojë të gjithëve. Kemi detyrimin të lexojmë mirë edhe votën pro, edhe atë kundër, edhe votën e shqiptarëve, që mbase na panë si alternativën më të mirë, por jo aq të mirë sa do donin të ishim. Unë kam prej 8 muajsh që shërbej në pozicionin e Ministrit të Mbrojtjes, por kur fillon një mandat i ri, fillon një qeveri e re. Ne nuk jemi të pazëvendësueshëm. Kështu që prisja edhe emra të rinj, për të cilët nuk do të kisha hatërmbetje, por do ju uroja më të mirën”, tha Peleshi.