Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur sekuestro preventive mbi llogaritë bankare në emër të mjekut Edvin Prifti, duke i sekuestruar shumën prej 51.479.368 lekë dhe shumën prej 177.497 Euro.
Sipas njoftimit të SPAK, bëhetme dije se Policia Gjyqësore pranë Policisë së Shtetit ka kryer një hetim të thelluar financiar dhe pasuror të Priftit dhe subjekteve tregëtare të krijuar prej tij.
Nga ky hetim, u grumbulluan prova që krijojnë dyshime se është ngritur një skemë e mirëfilltë kriminale që konsistonte në paraqitjen e faturave tatimore fallco me qëllim shmangien nga pagimi i tatimeve.
Gjithashtu,, është konstatuar se mjeku Prifti kryente depozitime Cash në llogari bankare të hapura në banka të ndryshme të nivelit të dytë.
Njoftimi i SPAK
- Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar po kryen hetime në kuadër të procedimit penal nr.102/2 të vitit 2020, në ngarkim të të hetuarit E. P. (aktualisht nën masën e sigurimit “Pezullim i ushtrimit të një detyre apo shërbimi publik”, parashikuar nga neni 242 i K.Pr.Penale), i dyshuar për kryerjen e veprave të “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” (më shumë se një rast) dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga nenet 259 dhe 287 të Kodit Penal.
Policia Gjyqësore pranë Policisë së Shtetit ka kryer një hetim të thelluar financiar dhe pasuror të shtetasit E.P. dhe subjekteve tregëtare të krijuar prej tij (Persona Fizik). Falë një hetimi intensiv u grumbulluan prova që krijojnë dyshime se nga ana e të hetuarit është ngritur një skemë e mirëfilltë kriminale që konsistonte në paraqitjen e faturave tatimore fallco me qëllim shmangien nga pagimi i tatimeve. Gjithashtu nga verifikimi i llogarive bankare të shtetasit E.P. apo personave fizik të regjistruar në emër të tij është konstatuar se ky shtetas kryente depozitime Cash në llogari bankare të hapura në banka të ndryshme të nivelit të dytë.
Nisur nga sa më sipër, duke qenë se ekziston dyshimi që shumat e parave të depozituara në bankë, në Cash, nga ana e të hetuarit E. P. (në llogarinë personale apo të PF të krijuar prej tij) janë produkte të veprës penale Prokuroria e Posaçme i ka kërkuar Gjykatës vendosjen e sekuestros preventive.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr.150 datë 11.05.2021, ndërmjet të tjerave ka vendosur:
Vendosjen e sekuestros preventive mbi llogaritë bankare (llogari rrjedhëse, depozitë pa/me afat apo investime në obligacione) në emër të shtetasit E. P. apo subjekteve tregëtare në pronësi të tij në shumat:
- Sekuestrimin e shumës 51.479.368 Lek.
- Sekuestrimin e shumës 177.497 Euro.
Akuzat dhe hetimet ndaj mjekut Prifti
Prifti u la në burg më 13 shkurt, pasi Prokuroria e akuzoi për korrupsion dhe pastrim parash. Ndaj tij ka mbetur në fuqi masa e pezullimit nga ushtrimi i detyrës.
Hetimet ndaj mhekut nisën bazuar në përgjimet e sekretares së Gjykatës së Krujës, të cilat kishin nisur për lirimin e të dënuarve por që kanë zbuluar për Prokurorinë e Posaçme edhe korrupsionin në shëndetësi.
Nga përgjimet, ka rezultuar se sekretarja e Gjykatës, Manuela Mallkuçi, i ka dhënë para kirurgut Edvin Prifti, me qëllim që ky i fundit të bënte operacion nënën e saj.
Kontrolli i kryer pasditen e të enjtes, 11 shkurt në banesën e tij zbuluan 250 mijë euro dhe 16 milionë lekë në zyrën dhe banesën e kardiologut të njohur.