Analisti Fatos Lubonja është shprehur se gjimnazi “Sami Frashëri” në Tiranë ka mundësi që të shembet.
Në një lidhje direkte për rubrikën “Opinion” në News24, Lubonja tha se godina e dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit mund të shembet që të hapet një tender për një shkollë të re.
Sipas Lubonjës, ekspertët e huaj vlerësuan se shkolla duhej rikonstruktuar por ai shton se autoritetet e bënë të pamundur hapjen pasi ishte vlerësuar e pabanueshme nga Instituti i Ndërtimeve.
Sa i përket fondeve të mbledhura në Konferencën e Donatorëve, Lubonja u shpreh skeptik nëse Rama do i mirëmenaxhojë ato.
“Ja si veprojnë këta. Një rast ku kam interes dhe unë në shkollën Sami Frashëri pasi kam një mbesë aty, ka pësuar gjatë tërmetit shembje të tavaneve të varura dhe shkuan disa ekspertë, të huaj ishin disa, izraelitë të cilët thanë se duhet rikonstruktuar.
Iu tha fëmijëve që në janar do të hyjnë aty. Më pas iu tha që nuk do të hapet shkolla pasi nuk kishte përfunduar.
Prindërit ngulmuan pasi i kishin fëmijët të shpërndarë iu thuhet që Instituti i Ndërtimeve, që thoshte edhe për teatrin është i pasigurt, dhe tha përsëri që kjo shkollë është e pasigurt. Tani me shumë mundësi ajo shkollë do të shembet dhe do të hapet një tender i ri. Si mund t’i besoj unë këtij shteti, dhe duhet bërë një hetim për këtë shkollë se çfarë është vendosur të bëhet me të. Shkolla e vjetër mund të mos kishte asnjë problem, por ku është ajo Bozdo apo ai grupi i Ramës? Nuk kemi asnjë garanci që këto para do të përdoren me nikoqirllëkun më të madh”, tha ai.