Gjermania ka vendosur të zgjasë deri në mes të qershorit kufizimet për udhëtimet turistike jashtë vendit.
Lajmi është bërë i ditur nga ministri gjerman i Punëve të Jashtme, Heiko Maas, i cili theksoi se kjo masë është marrë si pasojë e situatës nga koronavirusi.
“Ne nuk jemi ende në pikën kur mund të rekomandojmë pa u shqetësuar udhëtimet jashtë vendit dhe për këtë arsye është e nevojshme zgjatja e kufizimeve për udhëtimet në botë deri në mes të qershorit”, deklaroi ai në një konferencë shtypi në Berlin.
Këto kufizime janë në fuqi për shkak të pandemisë, që ka bllokuar pjesën më të madhe të flotës së avionëve në botë dhe ka çuar në kontrolle më të forta kufitare, si dhe masa karantine të vendosura në shumicën e vendeve.
“Për pjesën tjetër, gjithçka mbetet e hapur. Ne do të kemi shumë diskutime me partnerët tanë evropianë për t’u koordinuar në nivel ndërkombëtar. Gjithçka varet nga zhvillimi i pandemisë në Evropë dhe gjetkë”, shtoi ai.
Deri më tani në Gjermani janë regjistruar më shumë se 160 mijë raste infektimi me koronavirus, ndërsa kanë humbur jetën mbi 6 mijë persona.