Kuriozitete

Gjermani që tradhtoi shokët e vetë, por u vra si armik nga sovjetikët


               Publikuar në : 15:50 - 25/10/19 A.F

Alfred Liskow, ishte një ushtar gjerman që tentoi ta mbronte Bashkimin Sovjetik, pak orë para fillimit të Operacionit Barbarossa nga ushtria gjermane. Ai u prit në fillim ngrohtë nga sovjetikët, por shumë shpejt u konfliktua papritur me udhëheqjen Sovjetike, çka i kushtoi në fund edhe jetën e tij.

Mbrëmjen e 21 qershorit 1941, Liskow notoi përmes lumit Bug, që ishte kufiri natyror midis Bashkimit Sovjetik dhe Rajhut të Tretë. Ai i informoi fillimisht rojet kufirare sovjetike, se ushtritë gjermane do të sulmonin së shpejti territorin sovjetik.

Liskow as që e kishte idenë se dezertimi i tij, do të ishte në fakt një dënim me vdekje në duart e sovjetikëve. Informacioni që dha dhe personaliteti i tij, u vlerësuan dhe u shqyrtuan me kujdes nga policia lokale e NKVD (paraardhëse e KGB-së).

Por kur informacionet e mbledhura, arritën në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë së Kuqe dhe tek diktatori sovjetik Josif Stalin, ishte tepër vonë. Pushtimi kishte filluar, dhe më shumë se 3 milion trupa gjermane mësynë në Bashkimi Sovjetik.

Dezertimi që kreu, nënkuptonte që Liskow la pas gruan, një fëmijë, babanë dhe nënën. Por ai e konsideronte të nevojshme këtë sakrificë. Gjatë gjithë jetës së tij, madje edhe kur punonte si prodhues mobiliesh në një fabrikë në qytetin gjerman Këlberg, ai e kishte menduar veten e tij si një komunist të devotshëm që vepronte me iniciativën e tij personale.

Liskow u bë anëtar i Aleancës së Frontit të Luftëtarëve të Kuq, një organizatë komuniste gjermane. Madje edhe brenda asaj organizate radikale, Liskow cilësohej shpesh si shumë ekstremist. Ai formoi identitetin e tij bazuar në origjinën familjare.

Ai kishte qenë anëtar i një familje punëtorësh, dhe që të dy prindërit e tij e urrenin Hitlerin dhe regjimin e tij brutal. Ata e shihnin Bashkimin Sovjetik, si një aleat ideologjik dhe një vend  miqësor. Kjo do të thoshte që Liskow, nuk donte të luftonte kundër popullit sovjetik. Ai e shihte që edhe shumë njerëz të tjerë në Gjermani, nuk e donin një luftë ndaj sovjetikëve.

Për Liskow, lufta konfirmoi se ai ishte qenë në krahun e duhur, dhe që atëherë aktiviteti i tij u lidh me propagandën komuniste sovjetike. Ai bëri fshehurazi propagandë me antifashistët  e tjerë në mbarë vendin, duke i informuar njerëzit se ushtarët gjermanë nuk kishin asnjë interes të shkonin në luftë.

Natyrisht, nazistët e vunë re mungesën e Liskow në radhët e ushtrisë. Ata thirrën familjen e Liskow për ta marrë në pyetje. Liskow, për të cilin ata menduan fillimisht se ishte zhdukur në betejë më 22 qershor, u dënua me vdekje në mungesë.

Të dhënat historike mbi momentet e fundit të jetës së Alfred Liskow janë të paplota. Ai u bashkua Comintern-it (Internacionales Komuniste, një organizatë ndërkombëtare që mbronte komunizmin botëror), ku pati konflikte me udhëheqjen e saj, Dmitry Manylski, Palmiro Togliatti dhe Georgi Dimitrov.

Ai u akuzoi ata se ishin simpatizantë të nazistëve, dhe se po tradhtonin idealet e vërteta të komunizimit. Komunistët që ai po ndeshte, nuk përmbushnin pritshmëritë e tij. Por të denoncuarit, ishin të përkëdhelurit e Josef Stalinit. Ndaj pas këtij konflikti, Liskow u akuzua nga Dimitrov për fashizëm dhe antisemitizëm.

Ai u arrestua më 22 janar 1942 nga policia sekrete sovjetike. Kur ndodhej në burg, nisi të shfaqë shenja të sëmundjes mendore. Nuk është aspak e qartë, nëse kjo ishte apo jo e vërtetë. Por në korrik të atij viti, Liskow u la i lirë dhe u dërgua në Siberi, nga ku humbi çdo lloj gjurme. Ka disa sugjerime, që ai humbi jetën në rrethana të dyshimta diku afër Novosibirskut në vitin 1943./ TIRANA TODAY

 

Kthehu
WhatsApp Denonco ne TT