Bota

Gjermanët gjunjëzohen për krimet e nazistëve, serbët priten ngado me gurë


               Publikuar në : 16:26 - 16/01/20 M S

Një popull nuk mund të jetë përjetësisht fajtor për krimet e një udhëheqësi, apo një grupimi njerëzish në një kohë të caktuar. Por ai duhet të jetë aq i emancipuar, sa të dijë të distancohet, dhe të kërkojë ndjesë sinqesisht për atë që ka ndodhur. Më 7 dhjetor 1970, kancelari i Gjermanisë Perëndimore Vili Brand, u ul në gjunjë në shenjë nderimi dhe ndjese para monumentit që përkujton Kryengritjen e Getos së Varshavës, ku nazistët vranë dhjetëra mijëra polakë.

Pamjet bënë xhiron e botës. Polakët u prekën nga ky gjest, saqë e memorizuan në një pllakatë. Edhe më vonë kancelarët dhe presidentët gjermanë, kanë kërkuar vazhdimisht ndjesë, duke thënë se ndihen ende të turpëruar nga ajo që kanë bërë paraardhësit e tyre.

21 vite më parë në fshatin Reçak të Kosovës, 45 shqiptarë u masakruan nga forcat serbe. Masakra më të rënda, do të ndodhnin në muajt që vijuan. Por ajo ngjarje ishte një pikë kthese për çështjen e Kosovës, dhe diktoi qasjen e SHBA dhe BE kundër regjimit të Sllobodan Millosheviçit.

Në dallim nga udhëheqësit gjermanë, ata serbë nuk kanë kërkuar kurrë deri tani një ndjesë të sinqertë për vrasjen e mijëra shqiptarëve, kroatëve dhe boshnjakëve.

Aleksandër Vuçiç ka thënë se ka kërkuar në ndonjë rast ndjesë me gjysmë zëri, gjatë vizitave jashtë Serbisë. Por sapo është rikthyer në Beograd, i ka mohuar krimet, dhe ka vazhduar retorikën e viktimizimit serb. Prandaj, ndërsa ndjesa e Brand u prit me respekt nga polakët, ajo e Vuçiç u prit në korrikun e vitit 2015 me gurë nga mijëra boshnjakë në Srebrenicë.

Sot Vuçiç flet për Mini-Shengenin, dhe hedhjen pas të së shkuarës. Por ai nuk është gjunjëzuar ende në nderim të kujtimit të mijëra shqiptarëve të Kosovës, që u vranë 21 vite më parë. Me këtë qasje, serbët janë ende shumë larg standarteve të një kombi të emancipuar, që synon realisht të shohë përpara, dhe të zhvillohet së bashku me fqinjët e vet shekullorë.

TIRANA TODAY

 

 


Kthehu
WhatsApp Denonco ne TT