Gjenocidi me ujgurët myslimanë në Kinë, a do të ndërhyjë bota?

Nga: Myriam Franccois “Middle East Eye”

Në vitin 2014, presidenti kinez Xi Jinping nisi “luftën e popullit kundër terrorit” në jug të provincës Xinjiang, ku ujgurët përbëjnë gati 90 për qind të popullsisë. Duke e përshkruar zonën si vijën e frontit në betejën kundër “ekstremizmit fetar”, qeveria kineze filloi të ndërtojë “kampe të riedukimi”- ku sot qëndrojnë të mbyllur rreth 1 milion njerëz – dhe i detyroi të burgosurit të angazhohen në punë të detyruara, i sterilizoi, përdhunoi dhe torturoi, në atë që duket një përpjekje nga lart-poshtë për të zhdukur kulturën dhe identitetin e pakicave myslimane të Kinës.

Xi i kërkoi partisë së tij që të imitojë aspekte të “luftës kundër terrorizmit” të SHBA-së pas një serie sulmesh vdekjeprurëse, për të cilat Kina fajësoi ekstremistët ujgurë. Që atëherë, janë mbledhur shumë të dhëna për një fushatë terroriste të udhëhequr nga shteti, të cilën qeveria kineze e mohon.

Komuniteti ndërkombëtar është treguar i kujdesshëm në lidhje me paditjen e Kinës për këto sjellje, dhe kjo për disa arsye, ku më kryesore janë lidhjet ekonomike. Kina përbën mbi  një të pestën e furnizimit me pambuk në botë, i përdorur gjerësisht në të gjithë industrinë globale të modës dhe i përdorur në të gjithë botën.

Investimet e huaja në Kinë u rritën me 31 për qind në vitin 2020, në rreth 153 miliardë dollarë, ndërsa ky vend është midis 5 partnerëve kryesorë tregtarë të Britanisë së Madhe. Kina kontribuoi me 18.9 miliardë dollarë në defiçitin e përgjithshëm tregtar të Britanisë gjatë gjysmës së parë të vitit 2020, më shumë se çdo vend tjetër në atë periudhë.

Kjo gjë shpjegon deri diku edhe qëndrimin e kryeministrit britanik Boris Xhonson, që formalisht flet për një “shqetësim të madh” për abuzimet me të drejtat e njeriut në Xinjiang, por pa përmendur termin gjenocid. Por ndërkohë po shtohet presioni që partia e tij të pranojë vendimin e një komiteti gjyqësor parlamentar, që mund të përcaktojë nëse gjenocidi po kryhet nga një partner tregtar i vendit, duke e vënë kësisoj në pikëpyetje marrëdhënien Britani-Kinë.

Edhe Bashkimi Evropian, varet shumë nga tregtia me Kinën. Në janar të këtij viti, anëtarët e Parlamentit Evropian e kritikuan Komisionin Evropian për nënshkrimin e një marrëveshje të diskutueshme investimesh me Kinën, duke deklaruar se kjo e fundit e dëmton shumë besueshmërinë e BE si një mbrojtëse e të drejtave të njeriut, duke pasur parasysh mungesën e ndonjë mjeti për ta detyruar Kinën të mbajë premtimin për t’i dhënë fund praktikës së punës së detyruar në Xinjiang.

Deri tani denoncimi më i fortë ka ardhur nga ish-administrata amerikane e Trump, që në janar i cilësoi si një gjenocid ngjarjet në Kinë – një linjë që duket se synon të mbajë edhe administrata Bajden.

Por ndërsa prej vitesh ka dëshmi në rritje të një fushate sistematike represive nga zyrtarët kinezë, deri më tani asnjë vend nuk ka qenë në gjendje që të japë një përcaktim ligjor të gjenocidit, pasi kjo është çështje e Gjykatës Penale Ndërkombëtare.

Lexo edhe :   Përplasja SHBA - Kinën & Rusin: A po bëhet realitet profecia e Xhorxh Oruellit?

Por vendi i Kinës si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, do të thotë se ajo mund t’i vërë veton çdo padie në këtë gjykatë. Megjithatë, së fundmi një raport i ri i përpiluar nga më shumë se 50 ekspertë të pavarur të ligjit ndërkombëtar mbi gjenocidin, politikat etnike të Kinës në rajonin e Xinjiangut, ka arritur në përfundimin se Pekini po kryen gjenocid ndaj ujgurëve myslimanë, në kundërshtim me Konventën e OKB-së për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit, ku Kina është anëtare së bashku me 151 shtete.

Raporti flet në detaje për synimet e shtetit kinez për t’i shfarosur ujgurët bazuar në deklarata të qarta, direktiva politike dhe rregullore që vijnë nga nivelet më të larta drejtuese, dhe me vetë presidentin Xi që në shtatorin e vitit 2020, u zotua t’i vazhdojë këto politika edhe gjatë viteve të ardhshme.

Raporti paraqet prova të forta, se Kina planifikon që t’i vazhdojë këto politika derisa ujgurët dhe pakicat e tjera kombëtare myslimane “të zhduken”, teksa zyrtarë e nivelit të lartë zbatojnë urdhrat për “t’i mbledhur të gjithë në një vend”, “për t’i zhdukur ata plotësisht”, “për të prishur linjën e tyre të gjakut, shkëputur rrënjët e tyre, prishur lidhjet sociale dhe origjinën e tyre”.

Zyrtarët kinezë e kanë përshkruar në mënyrë të përsëritur internimin masiv të ujgurëve në terma de-humanizues, si “zhdukje e tumoreve”, dhe spërkatjen e “barërave të këqija me kimikate për t’i vrarë të gjithë”.

Shpresa e fundit është që shtetet e tjera palë në Konventën e Gjenocidit të ndërmarrin veprime urgjente, për të përmbushur detyrimet e tyre sipas traktatit, dhe që bizneset e huaja që veprojnë në rajon të rivlerësojnë qëndrimin e tyre ose të tërhiqen, duke i zhvendosur zinxhirët e tyre të furnizimit.

Xhon Paker, profesor i drejtësisë në Universitetin e Otavës në Kanada, dhe një nga bashkë-autorët e raportit, e krahasoi përfundimin e tij me “momentin e Mynihut”. I pyetur nëse bota mund të vazhdojë ta injorojë këtë gjenocid, ai u përgjigj:“Në dallim nga viti 1938, tani ekzistojnë norma dhe standarde të shprehura, dhe ka shumë prova si rezultat i teknologjisë globale të informacionit.

Dhe ka gjithashtu një ndërvarësi shumë më të madhe. Por a ka mësuar bota ndonjë gjë? Ky është një moment i së vërtetës për një diplomaci të talentuar por parimore. Nuk mund të jetë një moment i dështimit moral”.Paker thekson se gjetjet e shkeljeve të vazhdueshme të Konventës së Gjenocidit nga Kina, detyron reagimin e 151 shteteve të tjera që janë nënshkruese të kësaj konvente.

Burimi i lajmit: https://www.middleeasteye.net/opinion/chinas-uighurs-case-genocide-has-been-made-will-world-act

Përshtatur nga TIRANA TODAY