Gjendet i pajetë Sala, shpëtoi 7 persona nga zjarri

Gjendet trupi i pajetë i punonjësit të shërbimit të sigurisë, Arjan Sala, që shpëtoi shtatë punonjësit e tjerë të maganinës pranë qendrës tregtare.

Forcat zjarrëfikëse kanë bërë të mundur mëngjesin e të shtunës gjetjen e trupit të pajetë që dyshohet se i përket Arjan Sala, 32 vjeçarit, punonjës i shërbimit të sigurisë të një kompanie private tek qendra tregtare Casa Italia.

Magazinat e kësaj qendre tregtare u përfshinë nga flakët pasditen e të mërkurës dhe që prej asaj dite, nuk dihej asgjë për fatin e të riut. Mësohet se ka qenë xhaxhai i të ndjerit ai i cili ka bërë identifikimin e kufomës, që tashmë është dërguar në morgun e kryeqytetit.

Sala kishte shpëtuar të mërkurën 7 persona që kishin mbetur të bllokuar në momentin që ra zjarri, por vetë mbeti brenda dhe dyshohet të ketë pësuar djegie në pjesë të ndryshme të trupit. Arjan Sala, 32 vjeç, ishte me detyrë punonjës i shërbimit të sigurisë të një kompanie private.

Pas gjetjes së trupit të dyshuar të Arjan Salës mësohet se grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë e rrethanave të ngjarjes. Dyshimet e para bëjnë fjalë për një shkëndijë elektrike, megjithatë, do të jenë hetimet që do të saktësojnë të vërtetën e ngjarjes.