Të tjera detaje janë zbuluar nga ngjarja e rëndë që ndodhi në Rinas, ku në një atentat u vra Gilmando Dani dhe u plagos rëndë shoku i tij, Muçi Shaljani (Sheqeri), i cili rezulton të jetë agjent i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.
Të dy po ktheheshin nga Barcelona dhe për këtë arsye hetuesit dyshojnë se autorët kanë patur informatorë që në Spanjë për arsye se avioni është vonuar me disa orë.
Linja duhej të vinte në Shqipëri që në orët e para të mëngjesit, por pastaj udhëtimi është shtyrë për në drekë. Autorët kanë pritur me makinën tip “Toyota” në rrethrrotullimin pranë aeroportit ekzaktësisht për 10 minuta të ndaluar.
E gjithë zona që në momentin e ardhjes së makinës nga Nikla deri në Rinas dhe më pas largimit në të njëjtin drejtim ka qenë pa energji elektrike. Kjo për hetuesit ka dyshime të forta pasi nga mungesa e energjisë asnjë kamera nuk e ka fiksuar lëvizjet e mjetit të autorit.
Policia ka këqyrur kamerat e shumta të bizneseve dhe aeroportit për të zbardhur më mirë dinamikën. Autorët në “Toyota” kanë qenë katër. Tre prej tyre kanë patur rolin e qitësit dhe njëri si shofer. Ata kanë qëlluar me breshëri ndaj makinës tip “Benz” ku Dani udhëtonte si pasagjer dhe miku i tij, Shaljani e drejtonte. Madje njëri prej autorëve është shkëputur në një moment për t’u afruar dhe për të qëlluar në krahun ku ka qenë ulur Gilmando Dani.
Më pas ata janë arratisur me shpejtësi për të shkuar drejt fshatit Halil të Krujës. Atje kanë djegur makinën dhe kanë humbur gjurmët. Targat e kësaj makine rezultojnë të vjedhura në Greqi në vitin e kaluar. Makina nuk është përcaktuar nëse është e vjedhur apo jo, pasi për shkak të djegies së mjetit nuk është rikuperuar numri i shasisë.
Hetuesit po verifikojnë çdo lëvizje që ka ndodhur në aeroportin e Rinasit pak para atentatit. Në fokus janë ata që kanë qëndruar më gjatë dhe janë larguar sapo kanë dalë Dani dhe Shaljani. Gjithsesi deri më tani policia nuk ka asnjë emër konkret të dyshuar.
Shënjestra e këtij atentati ka qenë Gilmando Dani, i cili ndërroi jetë menjëherë në vendin e ngjarjes. Ai ka qenë emër i njohur për drejtësinë pasi njihej si pjesëtar i grupit të Emiljano Shullazit. Nga ana tjetër, shoku i tij Muçi Shaljani, i cili ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore, rezultoi të ishte agjent i AMP-së.
DSIK-ja, institucion që verifikon pastërtinë e figurës për punonjësit e agjencisë bëri me dije se Shaljani nuk rezulton të ketë certifikatë sigurie. Ai ishte punësuar prej shtatorit të këtij viti kur AMP drejtohej nga Artiol Saliasi dhe ka një kontratë 3-mujore deri në mes të dhjetorit.
Drejtori aktual i AMP-së, Eduart Merkaj ka pezulluar zinxhirin komandues të Forcës së Posaçme Operacionale deri në zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij atentati. Po ashtu ka nisur një verifikim i brendshëm për të zbuluar se si Shaljani është rekrutuar brenda agjencisë.















