Nga: Roland Qafoku
Ne duhet të jemi krenarë për rezistencën që bëri brezi i gjyshërve tanë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Sigurisht që është një turp që pas asaj rezistence pa ndihmën e asnjë ushtrie të huaj, në Shqipëri u instalua regjimi komunist diktatorial më i egër në të gjithë Lindjen që i solli aq shumë dëme këtij kombi. Por ne kurrë nuk mund të mohojmë sakrificat dhe gjakun e atyre të rinjve, burrave dhe grave që me armë në dorë luftuan ndaj pushtuesve italiane dhe gjermanë. Një sakrificë që na e njeh edhe bota por që në Shqipëri ka disa tendenca ta zbehin dhe ta shuajnë atë epope të lavdishme. Për ta konfirmuar këtë po sjellë një pjesë nga fjalimi i kryeministrit të Britanisë së Madhe Winston Churchill në Dhomën e Komuneve në shtator 1943.
“Me mijëra guerilje shqiptare janë tue luftue në malet e vendit të tyre . Disa javë më parë ushtria e okupatorit fashist u zëvendësua nga njësitë e ushtrisë gjermane. Gjermanët janë duke përdorur mënyrat e tyre të zakonshme për të shtruar popullin shqiptar. Dihet qysh tash se kanë hedhur bomba prej ajrit për të vrarë fëmijë dhe gra shqiptare. Prapseprapë gueriljet shqiptare vazhdojnë luftën kundër armnikut kudo që gjejnë rastin sidomos me prishë vijat e komunikimit”.
Për ta ilustruar se Shqipëria gjatë asaj kohe u bë shesh beteje, po publikoj dy fotografi të bëra nga një pilot gjerman dhe që tregohet bombardimi që është bërë në Tiranë.
Duket sikur ne sot nuk po e kuptojmë dhe aq shumë atë brez. Ata u ngjitën në mal si patriotë dhe zbritën nga mali si komunistë. Një mrekulli gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe një fatkeqësi e asaj që ndodhi më pas. Gëzuar ditën e fundit të Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri!